Cooper, i dërguari i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd
Bruksel, 1 shkurt - Zyra e shefes së politikës së jashtme të BE, Catherine Ashton, tashmë ka caktuar Robert Cooper si ndërmjetësin, i cili do të ulet në tryezën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
Lajmi publikohet nga gazeta serbe Veçernje Novosti e cili i referohet burimeve diplomatike në Bruksel. Sipas gazetës do të jetë Robert Cooper, bashkëpunëtor i Ashtonit për çështjet ballkanike, i cili njihet fare mirë në Prishtinë.
Për momentin thuhet se ende po shqyrtohet formati i pjesëmarrjes së Washingtonit dhe se në këtë moment opsioni më real është që përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit të përfshihet nëpërmjet dhënies së ekspertizës dhe këshillave ekipit të Prishtinës.
Dialogu i Beogradit dhe Prishtinës do të zhvillohet në Bruksel në mars, ndërsa temat që do të hapen me gjasë do të jenë trafiku ajror, telekomunikacioni, kadastra dhe ndoshta çështja e të zhdukurve.
Nuk përjashtohet që në bisedime të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara.