Cooper do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë
Bruksel, 29 korrik - Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert Cooper, do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën në fillim të javës së ardhshme.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka njoftuar për vizitën e tij pas mbledhjes së Komisionit të BE-së për politikë dhe siguri, ku është diskutuar situata në Kosovë.
Ashton tha se kthimi i dialogut mbetet e vetmja mënyrë që Beogradi dhe Prishtina t`i zgjidhin çështjet e hapura.
Bashkimi Evropian pret të ndodhë një përparim i shpejtë dhe i domosdoshëm, ka deklaruar Ashton, duke kërkuar nga të dyja palët që të shmangin përkeqësimet e situatës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore përmes negociatave.