Cooper arrinë për vizitë në Serbi
Beograd, 25 janar - Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë Serbi, Robert Cooper, sot pritet të arrijë në Beograd, me çrast do të takohet me shefin e delegacionit të Serbisë në këto bisedime, Borisllav Stefanoviq.
Shumë zyrtarë evropianë, ditëve të fundit, kanë theksuar se përparimi i Serbisë kah integrimi në BE, varet nga vazhdimi i dialogut me Kosovën, ndërsa njëra nga çështjet e pazgjidhura mbetet përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale.
Stefanoviq ka thënë se ardhja e Robert Kuperit në Beograd, bëhet me qëllim që të kapërcehet hendeku ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe të gjendet marrëveshje për çështjen e përfaqësimit të Kosovës.
Propozimi i shefes së delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, që Kosova në nismat rajonale dhe në takimet ndërkombëtare, të përfaqësohet me fusnotën pa prejudikim të statusit, por pa u përmendur rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk është e pranueshme për Serbinë, ka thënë Borisllav Stefanoviq.