Çollaku merr mbështetje nga Malta
Valletta, 28 qershor Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, po qëndron në Maltë ku zhvilloi takime të ndara me George William Vella, Ministër i Punëve të Jashtme i Maltës si dhe me Owen Bonnici, Ministër për Drejtësi, Kulturë dhe Pushtet Lokal.
Temë qendrore e këtyre takimeve ishte avancimi i agjendës evropiane të Kosovës si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në mes të dyja shteteve.
Gjatë takimit me kryediplomatin maltez z. George William Vella, ministri Çollaku e informoi atë me zhvillimet kryesore gjatë muajve të fundit në Kosovë e sidomos ato në fushën e integrimit evropian, përkatësisht hyrjen në fuqi dhe fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Po ashtu ministri Çollaku nënvizoi se Kosova është e përkushtuar që të rris dhe forcoj bashkëpunimin në drejtim të përshpejtimit të rrugës së vet evropiane edhe gjatë periudhës kur Malta do të mbajë presidencën e Këshillit të BE-së, pra nga janari i vitit që vjen.
Kurse kreu i diplomacisë malteze z. Vella, shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të përkrahur Kosovën në procesin e integrimit evropian e sidomos në procesin e liberalizimit të vizave dhe siguroi ministrin Çollaku se Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të kenë vëmendjen dhe përkrahjen e Maltës gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së.
Ministri Çollaku, edhe gjatë takimit që pati me ministrin për Drejtësi, Kulturë dhe Pushtet Lokal, z. Owen Bonnici, diskutoi për zhvillimet në agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e ndërmarra në kuadër të kësaj agjende që kanë prekur dhe zhvilluar të gjitha fushat në vend përfshirë edhe sektorin e drejtësisë.