Clinton vlerëson miqësinë amerikano-shqiptare
Washington, 16 mars - Në ditën e 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje shqiptarëve që të punojnë së bashku për t`u siguruar që vendi të ecë përpara dhe që ritmi të ruhet.
Në një deklaratë me rastin e këtij përvjetori, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton nxiti udhëheqjen politike të Shqipërisë, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, që të udhëheqin nëpërmjet llogaridhënies dhe transparencës, dhe të respektojnë dhe të forcojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Sekretarja Clinton shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo tha se shqiptarët kanë arritur shumë, por më shumë punë mbetet në rrugën drejt BE-së, dhe ky vit do të jetë me rëndësi kyçe.
Sekretarja Clinton i përcolli popullit shqiptar urimet e Presidentit Barack Obama dhe popullit amerikan.
Kjo ditë përkujton partneritetin tonë, na kujton përparimin e bërë dhe nënvizon premtimin e së ardhmes së Shqipërisë, sidomos ndërkohë që ju ndërmerrni hapat e nevojshëm për të arritur synimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha Clinton.
Ajo theksoi lidhjet e forta të miqësisë mes dy vendeve, vlerësoi kontributin e Shqipërisë në forcën e ndërkombëtareve të sigurisë në Afganistan, si anëtare NATO-s, si edhe rolin e Shqipërisë për stabilitetin në rajon, e demonstruar nëpërmjet mbështetjes së saj për shtetin e ri të Kosovës dhe kontributeve për pajtim në Ballkanin Perëndimor.