06 Maj 2024

Clinton: SHBA mbështet fuqimisht sovranitetin e Kosovës

New York, 19 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga së bashku me kryeministrin Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrin, Behgjet Pacolli, u prit nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Sekretarja Clinton e përuroi Presidenten Jahjaga për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ndërtuar dhe konsoliduar demokracinë dhe shtetin e Kosovës.

Ajo e inkurajoi Presidenten Jahjaga të vazhdojë me aktivitetet e saj diplomatike, të cilat i vlerësoi si jashtëzakonisht efektive.

Sekretarja Clinton tha se SHBA-ja e mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe shtrirjen e autoritetit të Kosovës në gjithë territorin e saj.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se bashkëpunimi me Bashkimin Evropian dhe misionin e tij në Kosovë për rendin dhe ligjin, EULEX, është i një rëndësie të veçantë dhe kjo shënon një përparim pozitiv dhe i inkurajoi autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë të punojnë ngushtë me këtë mision.

Ajo tha se është me rëndësi marrëdhënia e afërt me Bashkimin Evropian.

Clinton tha se SHBA-ja do të vazhdojë angazhimin e saj për ndihmë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Sekretarja amerikane e Shtetit tha se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces.

Ajo tha se SHBA-ja po vazhdon t’i inkurajojë shtetet e tjera që të njohin pavarësinë e Kosovës.

Sekretarja amerikane e Shtetit e inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje Presidentes Jahjaga në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjatë takimit, Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretaren Clinton për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm që SHBA-së po e japin në procesin e shtetndërtimit në Kosovë dhe për konsolidimit të mëtejshëm të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja po ashtu e njoftoi Sekretaren Clinton për progresin e arritur në Kosovë dhe kërkoi mbështetjen e SHBA-së për ta ndihmuar Kosovën në procesin e integrimeve evropiane dhe Partneritetin për Paqe.

Ajo tha se aksioni në tri komunat veriore është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si dhe me EULEX-in e KFOR-in, dhe ai ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes për vulat doganore dhe është në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Presidentja e Kosovës tha se institucionet e vendit janë të përkushtuara që të vendosin rendin dhe ligjin në veriun e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Presidentja Jahjaga tha se Ahtisaari Plus “nuk është zgjidhje, sepse do të rrënonte të arriturat në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin, por do të çonte drejt ndarjes”. Presidentja e Kosovës tha se kjo do “kthente prapa sukseset e mëdha të dekadës së kaluar në arritjen e paqes dhe të pajtimit në rajon”.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë për të gjetur zgjidhje për çështjet praktike të interesit të përbashkët dhe theksoi se kjo është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të mbështetur njëra tjetrën në rrugën e integrimeve evropiane.

Ajo tha se Kosova është e përkushtuar në rrugën e saj të integrimeve euroatlantike, por theksoi nevojën e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në për të inkurajuar reformat e brendshme dhe për të krijuar besimin se Kosova një ditë do të bëhet anëtare e BE-së.

Presidentja Jahjaga tha se Kosovës i duhet ndihma e SHBA-së që të punojë me BE-në për t’i ofruar vendit agjendën evropiane.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)