09 Janar 2025

Clinton: Marrëveshja me Serbinë do të shtojë njohjet e shtetit të Kosovës

Tunizi, 24 shkurt - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka deklaruar se marrëveshja e arritur në Bruksel në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë do ta çojë popullin e Kosovës më afër integrimit evropian.
 
\"Sot, Kosova dhe Serbia kanë bërë edhe një hap të rëndësishëm drejt ardhmërisë së tyre të përbashkët evropiane duke arritur marrëveshjet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja lidhur me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe një protocol për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Dëshiroj të falënderoj Bashkimin Evropian për lehtësimin e këtyre diskutimeve dhe që ka ndihmuar këto dy shtete që të realizojnë një të ardhme më të ndritur\", ka theksuar Clinton.

Ajo po ashtu ka thënë se kjo do të ndihmojë në rritjen e numrit të vendeve që tashmë e njohin Republikën e Kosovës, sepse ajo do të hiqte justifikimin se nuk është bërë përparim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara dhe 85 vende të tjera që tashmë e njohin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, sipas Clinton do të kenë në fakt një argument më të fortë, se ndërkohë që Kosova ecën drejt integrimit evropian, ne i hedhim sytë drejt së ardhmes.

\"Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, në fakt, hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës. Ajo i kërkoi Serbisë të heqë forcat e sigurisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shqyrtoi me kujdes 1244-ën, dhe tërë bota e di përfundimin -  me të cilin ne jemi plotësisht dakord - se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel Rezolutën 1244. Kështu që unë në fakt mendoj se ky është një vendim shumë i zgjuar dhe shumë i guximshëm nga ana e qeverisë, sepse ai do ta çojë Kosovën më afër Evropës, dhe kjo do të rrisë numrin e vendeve që do ta njohin atë.\"

Ky sipas saj është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe se këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial, dhe sovranitetin e Kosovës, dhe e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin.

Clinton ka vlerësuar se Kosova tash do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten.

\"Ne poashtu shpresojmë se këto marrëveshje do t’i hapin derën kandidaturës së Serbisë për BE. Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën, dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit. Ne presim që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të vazhdojë lidhur me çështjet tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dyja shteteve\", është shprehur Clinton.

Shtetet e Bashkuara siç ka thënë ajo kanë një miqësi të fortë dhe të qëndrueshme me Kosovën dhe Serbinë.

\"Ne kemi përkrahur këtë proces që nga filimi, dhe ne përshëndesim përkushtimin dhe vendimet e vështira që ishin të domosdoshme që të bëhet përparim. Dëshiroj të lëvdoj të dyja qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtij dialogu. I inkurajoj popujt e Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim, dhe që të përkrahin përparimin që është bërë.\"

Të dyja shtetet sipas Clinton mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë, dhe në paqë, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur.   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)