Clinton ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën
Bruksel, 8 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Bruksel, ka takuar Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton.
Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e vlerave euro-atlantike dhe për tema tjera me interes të përbashkët.
Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm që u mbajt në Bruksel e ka njoftuar Sekretaren Klinton për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, si dhe ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës në dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Gjatë dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur një qasje me vlera euroatlantike, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë,Malin e Zi dhe gjithashtu kemi dëshmuar vullnetin e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete të pavarura theksoi kryeministri Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Clinton ka theksuar se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë në proces të ndërmarrjes së reformave të thella ne fushën e legjislacionit të ndërlidhur me integrimet euroatlantike, me reformën elektorale, legjislacionit përkatës për sundimin e ligjit, qeverisjes së mirë, si dhe të zhvillimit ekonomik.
Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka vlerësuar lartë rolin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të implementuar reformat institucionale në politikë, ekonomi dhe legjislacion. Me theks të veçantë, Sekretarja e Shtetit, Clinton ka vlerësuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë,dhe ka shtuar se ky përkushtim dëshmon vizionin euroatlantik të institucioneve kosovare.
Sekretarja e Shtetit, Clinton gjatë takimit të sotëm në Bruksel i ka ritheksuar kryeministrit Thaçi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.