Clinton: GJND u pajtua me pikëpamjen e SHBA-së
Kjo, tha zonja Clinton, është pikëpamja që Shtetet e Bashkuara parashtruan në dokumentet që i dorëzuan Gjykatës si dhe në procedurat gojore që ajo mbajti në muajin dhjetor. Kosova është një shtet i pavarur dhe territori i saj është i paprekshëm, thotë Sekretarja amerikane e Shtetit në deklaratë.
Zonja Clinton u bëri thirrje të gjitha vendeve që ta kapërcejnë çështjen e statusit të Kosovës dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ajo tha se të gjitha ato shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën duhet ta bëjnë këtë.
Serbia dhe Kosova janë që të dyja mike dhe partnere të Shteteve të Bashkuara, tha Sekretarja e Shtetit, e cila u bëri thirrje atyre që të lënë mënjanë dallimet dhe të ecin përpara për të zgjidhur çështjet praktike dhe për të përmirësuar jetën e popujve të Kosovës, Serbisë, dhe rajonit.
Sipas Clinton, është rruga drejt të ardhmes së tyre si pjesë e një Evrope të pandarë, të lirë, dhe në paqe. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Bashkimit Evropian për të ndihmuar të dyja vendet në realizimin e synimeve të tyre evropiane.