CIA po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin
Washington, 26 shtator - Agjencia kryesore e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara po kërkon të zgjerojë praninë e saj në mbarë globin për të eliminuar të ashtu-quajturat "boshlleqe të inteligjencës" dhe për të trajtuar kërcënimin në rritje nga fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina.
Drejtoresha e CIA-s Gina Haspel të hënën e quajti zhvendosjen nga kundërterrorizmi tek spiunazhi më tradicional ndaj shteteve, "një prioritet strategjik", duke thënë se nevoja për të patur një zbulim më të mirë ndaj rivalëve aktualë dhe potencialë të Shteteve të Bashkuara është ndër "çështjet më të vështira" .
"Ne po e përqëndrojmë vëmendjen tek vendet kundërshtare", tha zonja Haspel përpara një audience në Universitetin “Louisville”, në paraqitjen e saj të parë publike, që kur u betua si drejtoreshë e CIA-s majin e kaluar.
Haspel tha gjithashtu se ajo synon "rritjen e numrit të oficerëve të vendosur jashtë vendit".
"Duke pasur një prani më të madhe të huaj do të kemi një pozicion më të fuqishëm," tha ajo.
Si pjesë e kësaj shtyse, zonja Haspel tha se CIA shpreson të rekrutojë më shumë folës të gjuhëve të huaja, përfshirë ata që flasin rrjedhshëm gjuhën kineze, arabe, farsi, turqisht, frëngjisht dhe spanjisht.
Ajo tha gjithashtu se agjencia e spiunazhit "po punon më ngushtë se kurrë me aleatët në të gjithë botën".
Komentet e zonjës Haspel pasqyrojnë përparësitë e paraqitura në strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parashtruar në fund të vitit të kaluar. Strategjia thekson nevojën për t’iu kundërvënë përpjekjeve të rivalëve të Shteteve të Bashkuara për të zhvendosur ekuilibrin e fuqisë në rangun global në forma që kanë ndikuar negativisht Shtetet e Bashkuara.
Drejtoresha e CIA-s shprehu shqetësime të veçanta lidhur me Kinën, e cila tha ajo, është "duke punuar për të zvogëluar ndikimin e Shteteve të Bashkuara në mënyrë që të avancojë qëllimet e saj".
"Ne po e vëzhgojmë shumë nga afër veprime që duket se merren me synimin për të zgjeruar ndikimin e Kinës përtej rajonit të saj, në zona si Afrika, Amerika Latine, ishujt e Paqësorit, dhe Azinë Jugore", tha zonja Haspel.
"Ne jemi të shqetësuar nga disa prej taktikave që po përdor Pekini, duke u ofruar vendeve të varfra, investimeve dhe kredi që ndoshta ato vende nuk do të jenë në gjendje t’i paguajnë", tha zonja Haspel.
"Ne duam që këto vende të jenë të vetëdijshme për kanosjen ndaj sovranitetit të tyre dhe sesi investimet e huaja për projekte infrastrukture apo të sigurisë kombëtare në këto vende mund të venë në rrezik sovranitetin e tyre".