Çështjet teknike do ta lehtësonin njohjen e Kosovës nga Serbia
Beograd, 23 korrik - Raundi tjetër i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta, është shtyrë për në shtator, meqë nuk dukej se palët do të binin dakord për ndonjë marrëveshje.
Por cilat janë interesat e dy palëve në këto bisedime dhe cilat janë shanset për sukses? Dushan Janjiç, studiues në Institutin e Shkencave Shoqërore në Beograd, thotë se të dyja palët kanë pikësynime të caktuara që duan të arrijnë në këto bisedime.
Kosova dhe Serbia i filluan bisedimet në mars dhe në fillim të këtij muaji, u tha se palët kishin arritur marrëveshje për çështje të tilla si lëvizja e lirë, regjistrat civilë dhe diplomat.
Studiuesi Dushan Janjiç thotë se Beogradi po përpiqet të përmbushë njërin nga kriteret për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.
\"Beogradi shpreson që ti jepet statusi i kandidatit si dhe të zgjidhë disa probleme që kanë të bëjnë me serbët të cilët jetojnë në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të minimizojë ndikimin politik negativ të kritikave që i bëhen nga opozita brenda vendit\".
Ndërkohë, Prishtina thotë se këto bisedime sinjalizojnë fillimin e njohjes së Kosovës nga Beogradi. Deri më sot, 75 vende e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj Prishtina po përdor çdo rast për ti thënë opinionit të brendshëm publik se ajo ka arritur diçka lidhur me njohjen.
\"Është e vërtetë se një pohim i tillë nuk është fare pa kuptim. Nëse çështjet teknike që diskutohen mes Prishtinës dhe Beogradit do të zgjidhen, kjo do ta lehtësonte me të vërtetë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga bisedat që kam patur me politikanët e Kosovës, ata janë mjaft pragmatikë\".
Zoti Janjiç thotë se për momentin, Presidenti Tadiç nuk ka shumë hapësirë për të manovruar. Një problem i tij është se në Serbi po afrohen zgjedhjet parlamentare që janë vitin tjetër. Por është e vërtetë, thotë zoti Janic, se ai pati guximin ti pranojë bisedimet.
\"Nëse e hedhim vështrimin nga 20 vitet e fundit, kjo është hera e parë që të dyja palët po ulen me njëra tjetrën, të dyja kanë vërtet dëshirën e mirë dhe një dialog i tillë mes politikanëve nga Serbia dhe Kosova më parë do të ishte i pa përfytyrueshëm. Unë mendoj se ai do të realizojë shumë gjëra në këto bisedime, dhe deri në fund të këtij viti do të shohim se do të diskutohen dhe zgjidhen më shumë çështje në dialogun Prishtinë Beograd\".
Politikanët në Beograd kanë përmendur kohët e fundit temën e ndarjes së Kosovës. Por zoti Janjiç thotë se që të realizosh ndarjen, duhet të njohësh palën tjetër.
\"Në thelb, prapa ndarjes qëndron njohja e pavarësisë, pra njohja e realitetit, fakti që nuk e kontrollon dot territorin. Ndarja në vetvete është historikisht problematike sepse lidhet me gjakderdhje dhe me shumë debate. Por në kohën moderne, ndarja mund të realizohet përmes dialogut paqësor rreth një kufiri të ri. Për momentin, kjo është e parealizueshme sepse si Kosova edhe Serbia janë që të dy shtete të dobëta dhe nuk mund ta kontrollojnë dot procesin. Gjithashtu, ekzistojnë shumë punë të papërfunduara në Bosnje dhe në Maqedoni\".
Sipas zotit Janjiç, do të ishte shumë më mirë nëse në veriun e Kosovës vendosej një farë autonomie e brendshme se sa të bëhej një ndarje ose shkëputje e veriut e ai ti bashkohej Serbisë.
\"Kjo sepse ne kemi nevojë për urat, për komunikimin, kemi nevojë për njerëzit që lidhin territoret. Serbia dhe Kosova janë fqinj. Ky fakt nuk mund të ndryshohet dhe fqinjët gjithnjë duhet të arrijnë të punojnë së bashku\".
Por rruga mund të jetë e gjatë. Një shembull: Këto ditë Kosova vendosi ndalimin e importeve të mallrave nga Serbia si reagim ndaj ndalimeve të ngjashme nga ana e Serbisë. Një shenjë se procesi i bisedimeve ndërmjet të dyja palëve mund të mos japë shpejt frytet e dëshiruara nga ndërmjetësit evropianë.