Censurimi i gazetarëve, i papranueshëm
Bruksel, 3 maj - Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton në ditën botërore të lirisë së shtypit ka vlerësuar lartë punën e guximshme të gazetarëve, të cilët sipas saj në kushte shumë të rrezikshme vazhdojnë të japin informacione të pavarura.
Liria e shprehjes, ashtu siç ruhet në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, nënkupton të drejtën e secilit për të mbajtur mendimin pa ndërhyrje dhe për të kërkuar, pranuar dhe dhënë informacione dhe ide përmes çfarëdo medie dhe pa marrë parasysh kufijtë. Me rastin e ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Bashkimi Evropian rikujton këto parime dhe vlerëson të gjithë ata që luftojnë për respektimin e lirisë së shprehjes dhe për shtypin e lire, pluralistik dhe për mediet e tjera gjithashtu.
Censurimi dhe kërcënimi i redaktorëve, shkrimtarëve, gazetarëve ose kolumnistëve është i papranueshëm, ashtu siç është edhe përdorimi i dhunës dhe arrestimeve të nxitura nga shteti që u bëhen atyre.
BE-ja e vlerëson lartë punën e guximshme të gazetarëve, të cilët, shpesh në kushte shumë të rrezikshme, vazhdojnë të japin informacione të pavarura. BE-ja i bën thirrje të gjitha shteteve që të garantojnë sigurinë e gazetarëve dhe ti lejojnë ata që të kryejnë rolin e tyre qenësor për raportimin dhe komentimin e ngjarjeve në mënyrë të pavarur, pa frikë nga dhuna dhe shpagimi.
Liria e shprehjes zgjerohet edhe deri te interneti dhe mediet e tjera, dhe BE-ja është vendosmërisht kundër çdo kufizimi të pajustifikueshëm, joproporcional të qasjes ose përdorimit të këtyre medieve.