Catherin Ashton sot në Kosovë
Prishtinë, 27 maj - Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton mbërrin sot për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Pritet që gjatë kësaj vizite, përfaqësuesja e lartë e BE-së do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me zyrtarët e tjerë të lartë të Kosovës.
Gjithashtu, zonja Ashton, do të ketë takime edhe me udhëheqësit e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX.
Në këtë vizitë shefa e diplomacisë së Bashkimit Evropian shoqërohet nga këshilltari i saj politik, Robert Cooper, si lehtësues në bisedime.
Baronesha Ashton takimet do t`i nisë në orën 09.20, kur do të pritet në Qeveri nga kryeministri Hashim Thaçi. Pos me kreun e Qeverisë, do të realizojë takime edhe me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, dhe me ministren e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.
Në orën 10.20 do të jetë për vizitë në misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ndërsa në orët e drekës do të gjendet në Prizren. Këtë qytet jugor të Kosovës Ashton dhe Thaçi e kanë përzgjedhur si vend ku do të flasin para mediave dhe ku gazetarëve do tu jepet mundësia për të bërë pyetje, ngaqë nuk do të ketë prononcime pas takimeve që do të zhvillohen në zyrat e institucioneve.
Baronesha Ashton, edhe në Prishtinë, sikurse në Beograd, do t`ua konfirmojë përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane edhe Serbisë, edhe Kosovës.
Po kështu, do ta mbështesë dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si veprim me rëndësi themelore për mënjanimin e pengesave në rrugën drejt BE-së, thuhet në komunikatën e kabinetit të saj në Bruksel.
Ajo do të sjellë edhe mesazhin se bashkëpunimi rajonal është fondamental për këtë perspektivë evropiane.