Buzek: Problemet e Eurozonës nuk duhet të prekin zgjerimin
Bruksel, 5 nëntor - Vështirësitë me të cilat po përballet aktualisht zona euro nuk duhet të prekin procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vende të Ballkanit Perëndimor dhe BE-ja mbetet e hapur, u shpreh presidenti i Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek.
\"Vështirësitë aktuale në zonën euro nuk duhet në asnjë mënyrë të bllokojnë politikën e zgjerimit\", deklaroi Buzek të premten gjatë një konference shtypi në Sarajevë.
\"Kërkoj të theksoj se Greqia, pasi ajo është arsyeja kryesore e shqetësimit dhe e mosmarrëveshjeve në zonën euro për sa i përket anës financiare, përbën më pak se 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB të ekonomisë së zonës euro\", shpjegoi lideri evropian.
\"Nga kjo pikëpamje, situata nuk është e rrezikshme për vendimet lidhur me zgjerimin. Ne jemi me të vërtetë të hapur. Dëshirojmë t\'i kemi Bosnje-Hercegovinën dhe të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, rast për rast, vend për vend, sepse ju duhet të jeni të përgatitur për këtë\", deklaroi Buzek.
Vendet e Ballkanit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e anëtarësimit të tyre në BE.
Kroacia, më e avancuara, është thirrur të anëtarësohet në bllokun evropian në korrik 2013. Serbia shpreson të marrë statusin e kandidatit në dhjetor dhe Mali i Zi hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Bosnja është në fund të vendeve të tjera të rajonit në procesin e zgjerimit, për shkak të bllokimit institucional mes tre komuniteteve.
\"Dera është e hapur për anëtarësimin tuaj, por kjo duhet të jetë zgjedhja juaj nëse doni apo jo të bëheni anëtar. Askush nuk mund t\'ju detyrojë\", deklaroi Buzek në adresë të liderëve boshnjakë.