Burns: Jo status të veçantë për Veriun
Washington, 15 mars - Ish-nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns paralajmëron se një status i veçantë politik për serbët e Veriut të Kosovës, do të vinte në rrezik qendrueshmërinë e vendit.
Burns, i cili luajti rol qendror në mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, thotë se komuniteti i serbëve në Veri duhet të jetë pjesë e shtetit të Kosovës dhe se Serbia është e nevojshme të pranojë plotësisht pavarësinë e Kosovës.
Burns në një intervistë me Zërin e Amerikës ka thënë së kishte bindje të plotë atëherë dhe akoma e ka këtë bindje se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës ishte vendim i drejtë.
Ai është shprehur se ishte shumë e qartë pasi mbaroi lufta e Kosovës, pas ngjarjeve të prillit, majit dhe qershorit të vitit 1999, se Kosova nuk mund të kthehej më kurrë nën Serbinë.
Ai ka theksuar me tutje se ishte e qartë për të, si nga takimet me komunitetin e shqiptarëve të Kosovës, me komunitetin e serbëve të Kosovës, ashtu edhe nga vizitat në Beograd për tu takuar me udhëheqësit atje, se Kosova meritonte pavarësinë, se ishte një vend i pandarë, se plagët e shkaktuara nga ndarja me Serbinë ishin aq të thella saqë nuk mund të shëroheshin kurrë brenda Serbisë.
Kështu që sipas tij, Presidenti Bush dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice morën një vendim të rëndësishëm që ne ta mbështesnin popullin e Kosovës, të punonim me të gjitha forcat dhe ne e bëmë një gjë të tillë, të ishim përkrahësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës. Jam shumë krenar që vendi im luajti rol në këtë drejtim.
Burns ka thënë së të drejtat e njeriut për serbët e Kosovës duhet të respektohen, por nga ana tjetër ky komunitet duhet të jetë pjesë e shtetit të Kosovës dhe nëse atyre u jepen status dhe privilegje të veçanta politike, do të thotë që nuk ka garanci për stabilitetin e vendit.
\"Unë jam dakord me qeverinë e Kosovës se këto komunitete duhet të jenë pjesë e sistemit politik brenda Kosovës dhe mendoj se kohët e fundit Beogradi ka bërë disa deklarata shumë dramatike, në të cilat shihet se e kupton që nëse Serbia dëshiron që e ardhmja e saj të jetë në Bashkimin Evropian, atëherë ata duhet të jenë shumë më të hapur për pavarësinë e plotë të Kosovës dhe duhet të ketë një normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, një barazi të plotë mes tyre dhe një njohje të plotë nga Serbia të pavarësisë së vërtetë të Kosovës. Ky është qëndrimi amerikan dhe ky është qëndrimi im si qytetar privat\", ka vlerësuar Burns.
Ai ka nënvizuar se është në interesin e serbëve ti lënë pas luftrat e Ballkanit, të lënë pas luftrat e ish-Jugosllavisë, të pranojë realitetin e pavarësisë së Kosovës, pasi nuk ka kthim prapa për këtë çështje.
Kosova siç ka thënë është një shtet i pavarur, do të vazhdojë të jetë i tillë.
\"Unë shpresoj që ajo të përparojë dhe vendi të stabilizohet dhe që kjo të realizohet serbët duhet ta ndërmarrin këtë hap të rëndësishëm. Ata nuk do të pranohen kurrë plotësisht në Bashkimin Evropian, ose në NATO nëse nuk normalizojnë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën. Mendoj se serbët po ecin në drejtimin e duhur dhe unë i vlerësoj për këtë. Kjo është një kohë e ndryshme nga ajo e viteve 2007-2008 kur serbët e kundërshtonin plotësisht pavarësinë e Kosovës dhe unë e kujtoj shumë mirë atë kohë. Prandaj jam optimist se kjo do të ndodhë\", ka pohuar Burns.
Nga ana tjetër ai ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian të tregohet shumë i vendosur për të bindur qeverinë serbe se ajo nuk mund të bëhet dot pjesë e Bashkimit Evropian nëse serbët nuk e pranojnë plotësisht shtetin e Kosovës dhe nuk vendosin marrëdhënie diplomatike me të në një ardhme.
Të dy vendet kanë përgjegjësi, ndërkohë që si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Bashkimi Evropian duhet të ushtrojnë ndikimin e duhur për t\'i bindur ata që të pranojnë plotësisht njëri-tjetrin, të pranojnë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e në Serbi.