Burkhalter përshëndet pajtimin në Ballkanin Perëndimor
Prishtinë, 26 prill - Ministri i Jashtëm zviceran dhe Kryesuesi i radhës, Didier Burkhalter, nxori përfundim pozitiv nga vizita e tij dy-ditore në Ballkanin Perëndimor.
Në takimet e tij me përfaqësues të nivelit të lartë të autoriteteve në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë, ai mori mbështetje të fuqishme për angazhimin e Kryesisë së Zvicrës me OSBE-në në rajon.
Ai ishte i kënaqur me angazhimin e të gjithë liderëve politikë me të cilët u takua për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor përmes bashkëpunimit.
Ai gjeti mbështetje të fuqishme për objektivat e kësaj Kryesie në Ballkanin Perëndimor, e ato janë ofrimi i ndihmës së OSBE-së në procesin e udhëhequr nga BE për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, duke përfshirë çështjet e migracionit, si dhe në avancimin e pajtimit, veçanërisht në lidhje me zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.
Për të mundësuar progres të mëtejmë në këto çështje, ai i ftoi të gjitha palët që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë dhe të shkëlqyer me Përfaqësuesin e tij të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Ambasadorin Gerard Stoudmann.
Burkhalter shprehu mirënjohje për mbështetjen e autoriteteve në Beograd, Tiranë dhe Prishtinë për aktivitetet e OSBE-së për të ndihmuar Ukrainën në tejkalimin e krizës aktuale.
Ai shkëmbeu pikëpamjet me përfaqësues të pranive të OSBE-së në terren dhe theksoi vlerësimin e tij për punën e tyre të rëndësishme dhe profesionale.
Ai gjithashtu vizitoi zyrën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në Mitrovicë të Veriut dhe një projekt për ndërtimin e kapaciteteve të policisë lokale.
Në takimet me të rinj shqiptarë në Tiranë, dhe një grup të rinjsh shqiptarë dhe serbë të Kosovës në Prishtinë, ai mirëpriti angazhimin e tyre për demokraci, të drejta të njeriut dhe shoqëri përfshirëse, duke i quajtur ata agjentë kryesor për pajtim në rajon.