Bundestagu voton për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë
Berlin, 28 prill - Pas javësh debati Unioni CDU/CSU në opozitë dhe koalicioni qeverisës votojnë së bashku sot në Bundestag për furnizimin e Ukrainës me armë të rënda.
Bundestagu gjerman kërkon të dërgojë një sinjal solidariteti dhe mbështetje për Ukrainën, por edhe të tregojë unitetin brenda politikës gjermane. Pas disa javësh debati, Unioni i CDU/CSU dhe partitë e koalicionit qeverisës, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP kanë shuar grindjen për dërgimin e armëve të rënda në Ukrainë dhe votojnë të enjten së bashku për dorëzimin e tyre.
Në një deklaratë të publikuar në Berlin të mërkurën nga krerët e grupeve parlamentare thuhet se ky është një sinjal i përgjegjësisë për Ukrainën dhe vendosmërisë kundër agresionit të Rusisë.
Gjermania qëndron e vendosur në krah të Ukrainës në luftën e saj për liri, theksojnë parlamentarët gjermanë. Mbështetja për të drejtën e vetëmbrojtjes e Ukrainës është me rëndësi për mbrojtjen e paqes dhe lirisë në Europë dhe po ashtu për kërkimin e një zgjidhjeje diplomatike.
Në lidhje me dërgimin e armëve thuhet, se "në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara Gjermania dërgon armë për vetë mbrojtje në Ukrainë dhe miraton dërgimin nga shtete të treta. " Kjo vlen edhe për dërgimin e armëve të rënda në ujdi me partnerët e NATO-s. Vetëm para pak ditësh Gjermania bëri një kthesë ntë dytë në politikën e saj ndaj Ukrainës duke vendosur të dërgojë armë të rënda.
Në kuadër të takimit të ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s në bazën amerikane në Ramstein, ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, kishte bërë të ditur, dërgimin e tankeve kundërajrore. duke theksuar se "ndihma jonë është koordinuar me partnerët e tjerë të NATO-s".