Bumçi: Heqja e vizave për Rusinë, sfidë ndaj SHBA-së
Tiranë, 9 maj - Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi, e konsideron skandal vendimin e qeverisë për të liberalizuar vizat me Rusinë. Duke iu referuar situatës në Ukrainë dhe raporteve të reja të Rusisë me perendimin, ish-ministri i Jashtëm demokrat, e vlerëson vendimin e qeverisë të pamenduar.
Zoti Bumçi deklaroi për Gazeta Shqiptare se qeveria duhej të mbajë qëndrim dhe jo tu hapë dyert rusëve kur ndodhen në një pozicion agresioni karshi Ukrainës.
Për këtë çështje, Ministria e Jashtme përmes këshilltarit për median, Glevin Dervishi bëri të ditur për GSH:
Është një praktikë normale e përvitshme me një listë të gjatë vendesh që vijnë vit për vit në Shqipëri gjatë sezonit turistik. Kjo zbatohet prej disa vitesh. Nuk ka fare të bëjë me sanksionet dhe mos e ngatërroni.
Kurse, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit sqaroi se ishte kërkesë që ka ardhur nga operatorët turistikë, kërkesë e biznesit.
Qeveria vendosi në mbledhjene së mërkurën, që shtetasit rusë të hyjnë pa viza në Shqipëri, gjatë periudhës 25 maj deri në 30 shtator 2014.
Të njëjtin vendim qeveria mori edhe për shtete të tjera si Moldavia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katarin, Omanin dhe Kuvajtin. Por veçanërisht bie në sy Rusia, për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Ky në fakt është një vendim që pothuajse të gjitha qeveritë shqiptare në dekadën e fundit e kanë marrin në prag të sezonit turistik.
Por, në këtë rast heqja e vizave për shtetasit rusë bie më shumë në sy, në një kohë që autoriteteve rusë u janë vënë kufizime nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian lidhur me konfliktin në Ukrainë.