22 Dhjetor 2024

Bullgaria konfirmon mbështetjen për Kosovën

Prishtinë, 11 maj - Ministri i Jashtëm i Bullgarisë Nikolla Mlladenov gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Kosovë sot, ka inkurajuar institucionet kosovare që të jenë pjesë e bisedimeve me shtetin e Serbisë për çështje praktike.

Mlladenov tha se këto bisedime, do të jenë në të mirë të qytetarëve të Kosovës, por edhe qytetarëve të shteteve rajonale.

“Fokusi i këtyre bisedimeve duhet të jetë dialogu për çështje praktike dhe që do të ishte në të mirë të të gjithë qytetarëve për një jetë më të mirë të këtij vendi, por edhe qytetarëve të vendeve tjera fqinje. Siç e thash prioritet duhet të kenë çështjet praktike për një prosperitet të këtyre vendeve që do të ishte një avantazh i mirë që këto shtete më pas të jenë pjesë e përbashkët e integrimeve evropiane”, tha Mlladenov.

Kryediplomati bullgar gjithashtu ka thënë se shteti i tij përkrah të gjitha vendet e rajonit që të jenë pjesë e samitit të Sarajevës që duhet të mbahet ne muajin qershor.

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme  të Bullgarisë, Nikollay Mladenov, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, situatën aktuale dhe zhvillimet në rajon.

Kryeministri Hashim Thaçi ka shpreh falënderimet, në emër të popullit dhe të Qeverisë së Kosovës, për mbështetjen aktive të Kosovës nga ana e Bullgarisë në rrugëtimin e shtetndërtimit, demokratizimit si dhe në ndërtimin e mirëqenies dhe të ardhmes së sigurt për qytetarët e vet.

“Qeveria dhe populli i Kosovës janë përcaktuar për rrugën e bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët e vet. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi për të qenë pjesë të Evropës së Bashkuar në të ardhmen”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka bërë ftesë kryeministrit bullgar, Bojko Borisov, që të vizitojë Kosovën.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se Kosova do të jetë pjesë e Samitit të Sarajevës, por vetëm si e barabartë me të gjitha vendet pjesëmarrëse. Hyseni nuk konfirmoi nëse ka arritur ftesa për pjesëmarrje, apo jo.

Ndryshe, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ministri i Jashtëm bullgar ka konfirmuar edhe një herë ndihmën që shteti i tij do ta jap për Kosovën.

Ministrin i Jashtëm bullgar Nikolla Mlladenv është takuar edhe me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, takime të cilat ishin të mbyllura për gazetarë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)