10 Janar 2025

Bullgaria do të ndihmojë në shtimin e njohjeve për Kosovën

Sofje, 18 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur me nderimet më të larta shtetërore në Presidencën e Republikës së Bullgarisë.

Në takimin mes Kryeministrit Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev është biseduar për bashkëpunimin mes dy shteteve, për zgjerimin e këtij bashkëpunimi në fushat me interes të përbashkët dhe për bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe falënderoi Presidentin Plevneliev për njohjen e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës nga ana e Bullgarisë, në momentet e para pas shpalljes së pavarësisë.

Pasi i bëri një ekspoze, punës dhe vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Kosovës, kryeministri Thaçi theksoi se tani institucionet e Kosovës janë të fokusuara në përmbushjen e agjendës europiane dhe euroatlantike të integrimit.

Perspektiva e Kosovës është perspektiva e integrimit të Bashkimin Evropian dhe në NATO, dhe në këtë përkushtim Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të përmbushë në plotëni të gjithë kriteret dhe standardet e integrimit – tha Thaçi.

Në takimin me Presidentin e Bullgarisë, Kryeministri Thaçi foli edhe për hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në krijimin e ambientit të favorshëm për investime ndërkombëtare në Kosovë. Kryeministri Thaçi, me këtë rast, iu bëri thirrje të gjithë investitorëve bullgarë që të vijnë dhe të investojnë në Republikën e Kosovës.

Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm u shpreh në favor të forcimit të bashkëpunimit rajonal, si një nga parakushtet më thelbësore për forcimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë, vlera këto evropiane që duhet të kultivohen nga të gjitha vendet e rajonit.

Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, pasi vlerësoi lartë marrëdhëniet mes dy shteteve theksoi se Bullgaria është vend mik i Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim bashkëpunimi ndërshtetëror me Kosovën vetëm sa do të thellohet.

Më tej, Presidenti bullgar theksoi se Qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për të ndihmuar në procesin e shtimit të numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës, si dhe anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat relevante ndërkombëtare.

Gjatë takimit me kryeministrin Thaçi, Presidenti i Bullgarisë është shprehur në favor të thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, posaçërisht në fushën e Bujqësisë, Industrisë dhe të Tregtisë.

Presidenti Plevneliev ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se Bullgaria është e interesuar për paqe të qëndrueshme në rajon, e cila sipas tij gjendet brenda fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euro-atlantik.

Në këtë kuadër, theksoi z. Plevneliev, Bullgaria është e përkushtuar për t’i ndihmuar Republikës së Kosovës dhe të gjitha shteteve të rajonit për t’a ruajtur dhe zhvilluar paqen dhe mirëqenien e rajonit të Ballkanit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)