24 Dhjetor 2024

Bullgaria dhe Luksemburgu ofrojnë mbështetje për Kosovën

Prishtinë, 11 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj priti sot në takime të ndara Ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Bobi Bobev dhe shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, të cilët përgëzuan për zgjedhjen e tij në postin e Ministrit të Jashtme dhe shprehën gatishmërinë e shteteve të tyre për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Ministri Hoxhaj tha se Bullgaria dhe Luksemburgu janë partnerë strategjikë të Kosovës. Ai tha se institucionet e Kosovës do të intensifikojnë marrëdhëniet bilaterale me këto dy vende në mënyrë që të forcohet miqësia dhe bashkëpunimin në fushën e politikës, ekonomisë, arsimit, kulturës dhe sportit.

“Do të punoj shumë që të kemi një politikë të jashtme aktive, e cila do ta rritë numrin e njohjeve, e cila do ta forcojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe do t’i promovojë interesat politike, ekonomike të Kosovës, e që ta bëjë Kosovën anëtare të organizatave, agjencive të ndryshme politike, financiare dhe kulturore. Në këtë drejtim do të kemi përkrahjen e Bullgarisë dhe të Luksemburgut”, theksoi ministri Hoxhaj
 
“Shumë shpejt me Luksemburgun do të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Edhe më parë Luksemburgu ka ndihmuar Kosovën në sektorin e Arsimit, por edhe në fusha të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, theksoi Ministri Hoxhaj duke shtuar se, “Ne mund të mësojmë shumë nga përvoja e rrugëtimit të Bullgarisë drejt Bashkimit Evropian. Do të forcojmë lidhjet tona të posaçme me këtë shtet”.
 
Ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Bobi Bobev e uroi ministrin Hoxhaj për zgjedhjen e tij në postin e Ministrit të Jashtëm dhe shfaqi gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës.

“Jemi të gatshëm që t’i ofrojmë Kosovën përvojën tonë për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian. Ne edhe më tutje do të mbështesim Kosovën dhe do të jem një partner i fuqishëm në rajon dhe Evropë. Do të punojmë po ashtu në lidhjen më të madhe mes dy shteteve, ngase distanca mes dy shteteve është shumë e vogël. Ne po ashtu do të lidhim disa marrëveshjeve bilaterale në shumë fusha”, tha Bobev.

Pierre Weber, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Luxemburgut në Kosovë theksoi se Luksemburgu edhe në të kaluarën ka mbështetur Kosovën në shumë fusha, dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen.
 
“Planifikojmë të nënshkruajmë disa marrëveshje bilaterale që do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës. Luksemburgu është një shtet i vogël ashtu si Kosova. Ne mund të mësojmë shumë nga njëri-tjetri. Luksemburgu do të ushtrojë ndikimin e vet në disa shtete për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës”, theksoi Weber.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)