Bujar Nishani zgjedhet President i ri i Republikës së Shqipërisë
Tiranë, 11 qershor - Me 74 vota pro, 1 kundër dhe 1 të pavlefshme, Bujar Nishani është zgjedhur President i ri i Republikës së Shqipërisë.
Nishani hyri në radhët e Partisë Demokratike në vitin 1991 për tu bërë deputet dhe pas kësaj është përfshirë me intesitet në fushën e politikës, ku ka mbajtur poste në disa Ministri të rëndësishme.
Bujar Nishani ka lindur në Durrës në datën 29 shtator të vitit 1966 .Pasi ka mbaruar gjimnazin Bujar Nishani është diplomuar në Akademinë Ushtarake \"Skënderbej\" , të cilën e ka mbaruar në vitin 1988. Është i martuar dhe ka dy fëmijë një djalë dhe një vajzë të quajtur Ersi dhe Fiona.
Më pas studimet e tij kanë vijuar në Kaliforni të SHBA-ve ku është diplomuar, në \"Menaxhim i Resurseve të Mbrojtjes\" në vitin 1996. Në vitin 2004 diplomohet \"jurist\" në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin ie Tiranës dhe vetëm një vit më pas merr titullin \"master\", në Studimet Europiane.
Kandidati i katër i mazhorancës për president ka pasur shumë eksperienca pune të cilat kanë filluar në vitin 1988, si Pedagog në Akademinë Ushtarake Skënderbej. Në vitin 1993 ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në vitin 1994 Bujar Nishani ka punuar në Ministrinë e Jashtme, Marrëdhëniet me NATO-n. Në 1996 ka qenë pjesë e kabinetit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Në 1997 ka qenë në profesion të lirë; Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë;Bujar Nishani është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2005.
Pas kësaj ka mbajtur postin e Ministrit përkatësisht në Mars 2007- Shtator 2009 Minister i Brendshëm, në Shtator 2009 - Prill 2011 Minister i Drejtesise dhe në Prill 2011 dhe aktualisht është Minister i Brendshem.
Jeta dhe veprimtaria e tij politike nis në vitin 1991 kur anëtarësohet në Partinë Demokratike.
Më pas në vitin 2001 zgjidhet Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën. Në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike dhe në vitin 2005, zgjidhet anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas dhe anëtar i Kryesisë Qëndrore të kësaj Partie.