28 Dhjetor 2024

Budapest, flamujt e Kosovës në vizitën e Presidentes Jahjaga

Prishtinë, 13 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë shtetërore në Hungari, me ftesën e Presidentit Pál Schmitt, në ditën e parë të vizitës së saj ka takuar prefektin e Budapestit, Istvan Tarlos.

Në një darkë pune, në një bisedë të gjatë dhe miqësore, Presidentja Jahjaga theksoi se Hungaria është një vend mik i Kosovës, i cili e ka përkrahur vendin tonë në të gjitha periudhat.

Ajo gjithashtu theksoi se Hungaria është një nga vendet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës shumë shpejt dhe ka kontribuuar në kuadër të misioneve të ndryshme në vendin tonë.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për përkrahje të vazhdueshme në rrugën e integrimeve evropiane në të cilën Hungaria po jep një kontribut të madh.

Ajo tha se Kosova mund të përfitojë nga përvojat e organizimit të kryeqytetit nga Budapesti dhe shtroi nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe kryeqytetit hungarez.

Nga ana e tij, prefekti i Budapestit, Istvan Tarlos tha se admiron rrugën që ka ndjekur populli i Kosovës drejt pavarësimit dhe tani në ndërtimin e shtetit demokratik.

Ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me kryeqytetin e Kosovës, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, por edhe për ta ndihmuar atë në realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve.

Presidentja Jahjaga dhe prefekti Tarlos biseduan edhe për një varg temash me rëndësi.

Për nder të vizitës së Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në Budapest, në kryeqytetin hungarez, janë vendosur shumë flamuj të Kosovës.

Përveç në hotelin ku është vendosur Presidentja e Kosovës, flamujt e vendit tonë janë vendosur edhe në sheshin qendror të Budapestit, sheshin Deak, në disa pjesë të tjera qendrore të qytetit si dhe në rrugën që çon prej aeroportit në Budapest.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)