Brukseli konfirmon perspektiven Europiane të Kosovës
Prishtinë, 26 mars - Sot Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të Komisionit Europian në Bruksel.
Takimet janë fokusuar në procesin e liberalizimit të vizave, marrëveshjen tregtare dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Gjatë takimit me Komisionerin për Zgjerim Stefan Füle, u theksua perspektiva e qartë Europiane e Kosovës në një linjë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Füle potencoi se Komisioni Europian është i përfshirë ngushtë në këtë dialog, që, sipas tij, do të sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër BE-së.
Duke njohur faktin se kanë mbetur 6 muaj deri në publikimin e Raportit të Progresit për të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor, përfshirë edhe Kosovën, të dyja palet u dakorduan se reformat e parapara duhët të zbatohen në menyrë efektive dhe pa humbur kohë.
Ministrja Çitaku duke cilësuar agjenden Europiane si agjendë unifikuese shtetërore, nënvizoi progresin e arritur në Kosovë lidhur me zbatimin e reformave institucionale dhe ekonomike, si dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Ajo potencoi gadishmerin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur të gjitha problemet praktike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dy shtete fqinje, në frymën e dialogut konstruktiv për të mirën e të gjithë qytetarëve të dy vendeve.
Gjatë takimit të dyja palet u dakorduan për rëndësinë e progresit të të gjitha vendeve të Ballkanit Përendimor drejt integrimit në Bashkimin Europian, përfshirë Serbinë dhe Kosovën si dy vende fqinje.
Në këtë kontekst, Ministrja Çitaku theksoi se është të një rëndësie fundamentale që të arrihet një bashkëpunim kontraktual ndërmjet Bashkimit Europian dhe Kosovës.
Ministrja Çitaku poashtu zhvilloi takim më Komisioneren për Çështje të Brendshme, znj. Cecilia Malmström, gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur në fushën e liberalizimit të vizave si dhe hapat e ardhshëm në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarë e Kosovës.
Ministrja Çitaku ka vazhduar me takimet me znj. Ulrike Lunacek, Raportuesen e Parlamentit Europian për Kosovën, Xavier Demoulin, Drejtorin Gjeneral për Çështje Europianë në MPJ të Qeverisë Belge dhe Komisionin për Punë të Brendshme dhe Tregti ku temë qëndrore e diskutimit ishte avancimi i agjendes Europiane të Kosovës, me fokus të veqantë në procesin e liberalizimit te vizave dhe marrëveshjes tregtare.