Britania zgjeron sanksionet ndaj Rusisë
Londër, 20 gusht - Britania ka shënuar përvjetorin e parë të helmimit të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny duke vendosur sanksione ndaj shtatë individëve që thuhet se janë operativë të inteligjencës ruse, e të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në “tentim-vrasje”.
Zyra e Jashtme britanike shtoi më 20 gusht shtatë emrat në listën e sanksioneve, duke ua ngrirë asetet.
Në listën e personave të sanksionuar janë: Aleksei Aleksandrov, Vladimir Panyaev, Ivan Osipov, Vladimir Bogdanov, Kirill Vasilyev, Stanislav Makshakov dhe Aleksei Sedov.
Navalny, një kritik i presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmurë rëndë teksa po fluturonte nga Siberia. Avioni me të cilin po udhëtonte bëri ulje emergjente në Omsk dhe më pas Navalny u dërgua në spital.
Disa ditë më pas, ai u dërgua në një klinikë në Berlin për trajtim mjekësor.
Disa laboratorë kanë thënë se Navalny është helmuar me një agjent nervor, të prodhuar në kohën sovjetike, të grupit Noviçok.
Navalny e ka fajësuar Putinin për helmimin, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.
Navalny u arrestua pasi arriti nga Gjermania në Rusi më herët gjatë këtij viti.