29 Dhjetor 2024

Britania, presionin Serbisë për shpërbërjen e strukturave paralele

Londër, 20 tetor - Gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe, të enjten, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague.

Gjatë takimit, Ministri Hoxhaj ka kërkuar nga Ministri Hague rritjen e presionit ndaj Serbisë, për shpërbërjen e strukturave paralele, ilegale në veri të Kosovës, përfshirë edhe shpërbërjen e strukturave të sigurisë dhe formacionet paramilitare. “Pa shpërbërjen e këtyre strukturave, nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Ministri Hague, ka shprehur mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe për Kosovën në të gjitha aspektet. “Britania e Madhe do të rris presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele, si të vetmin parakusht për të marrë kandidaturën për në Bashkimin Evropian”, ka thënë Hague, gjatë takimit.

Ministri i Jashtëm britanik po ashtu ka thënë se Britania e Madhe mbështetë fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe se është shumë e interesuar që të ndodh integrimi i plotë i komunave të pjesës veriore në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, Ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun Hague për mbështetjen që po i jep Kosovës, veçanërisht në aspektin e lobimit për njohjen e Kosovës. “Mbështetja e Britanisë së Madhe në përmbylljen e procesit të njohjes është vendimtare, meqë Britania ka fuqi të madhe politike, ekonomike dhe gëzon lidhje të fuqishme historike dhe kulturore me shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Dy ministrat kanë biseduar edhe për proceset në vijim, në mënyrë që në të ardhmen vendet e Amerikës Latine, të Afrikës, vendet islame, të Azisë dhe të Paqësorit të mund ta njohin Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, ministrat Hague dhe Hoxhaj janë marrë vesh që të ketë një bashkëpunim të plotë në mes të dy ministrive të të dyja vendeve.

Ministri Hague ka siguruar Hoxhajn se Britania e Madhe do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në procesin e rritjes së numrit të njohjeve, duke shtrirë ndikimin edhe te pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Lidhur me proceset integruese evropiane të Kosovës, Ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Britanisë, që Republika e Kosovës të këtë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, dhe që pesë vendet që se kanë njohur ende Kosovën të mos e bllokojnë dhe vonojnë perspektivën e Kosovës evropiane.

Ministri Hague dhe Ministri Hoxhaj kanë biseduar edhe për investimet e mundshme britanike në Kosovë, në sektorët perspektiv ekonomik. Në takim u bë e ditur se gjatë vitit të ardhshëm mund të pritet finalizimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve bazike për bashkëpunim ekonomik, siç janë marrëveshja për mbrojtjen e investimeve, marrëveshja për largimin e taksave të dyfishta, marrëveshjet në fushën e sigurisë si dhe marrëveshja për riatdhesim.

Ministri Hoxhaj e ka ftuar Ministrin Hague që gjatë vitit të ardhshëm ta vizitojë Republikën e Kosovës, në shenjë të miqësisë së fuqishme në mes dy shteteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)