22 Dhjetor 2024

Britania e Madhe e shqetësuar me tensionet në Ballkanin Perëndimor

Londër, 14 dhjetor - Britania e Madhe u bëri thirrje përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor të refuzojnë gjuhën e urrejtjes dhe të punojnë me komunitetit ndërkombëtar, për të ruajtur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Këto komente u bënë pas një takimi të shefes së diplomacisë britanike, Liz Truss me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Në takim morën pjesë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar dhe ai evropian Miroslav Lajçak.

Në një njoftim të qeverisë britanike thuhet se takimi u mbajt në një periudhë kur “tensionet në rajon kanë arritur kulmin”, duke ju referuar deklarimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovine se vendi aktualisht po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial në periudhën e pasluftës dhe se ka një mundësi reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm.

“Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Britania e Madhe po punon për të trajtuar çdo kërcënim ndaj qëndrueshmërisë pas 26 vitesh përparimi të arritur me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se situata në Ballkanin Perëndimor është diskutuar edhe në takimin e G-7-tës që u mbajt gjatë fundjavës në Liverpool.

Njoftimi citon sekretaren e Jashtme Liz Truss të ketë thënë se Britania është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon.

“Ndërsa u mblodhëm në Londër me ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve të rajonit, si dhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, tensionet janë të larta dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të mbrojtur paqen e fituar me vështirësi. Forcimi i lidhjeve ekonomike me rajonin është një mënyrë jetike për të krijuar vende pune e mirëqenie, për të siguruar qëndrueshmëri dhe për të mbështetur lirinë”, tha sekretarja Truss.

Në njoftim thuhet se Britania mbështet aspiratat e Ballkanit Perëndimor për integrimet euro-atlantike, ndërsa nënvizohet se ripajtimi dhe marrëdhëniet mira fqinjësore janë thelbësore për përmbushjen e këtij synimi dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë në rajon.

Britania e Madhe, ndonëse është larguar nga Bashkimi Evropian është zotuar “të vazhdojë të jetë mbështetëse e reformave” në Ballkanin Perëndimor. Me 2 dhjetor kryeministri Boris Johnson, emëroi Sir Stuart Pech si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Takimi synon të ritheksojë përkushtimin e Britanisë ndaj procesit të Berlinit dhe të inkurajojnë rolin e shoqërisë civile për të nxitur paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Britania e Madhe “u kërkoi udhëheqësve politikë në rajon që të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, të dënojnë çdo madhërim të autorëve të gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe të respektojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)