Britania e Gjermania: Kosova dhe Serbia të eleminojnë tensionet
Londër - Berlin, 8 gusht - Britania dhe Gjermania i kanë tërhequr vërejtjen Serbisë dhe Kosovës, se i dëmtojnë gjasët e tyre për integrim në Bashkimnin Evropian, nëse lejojnë vazhdimin e tensioneve etnike përgjatë kufirit të tyre.
Ministrat e punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë, William Hague dhe Guido Westerwelle kanë paralajmëruar Beogradin dhe Prishtinën, se rrezikojnë shanset e tyre për t`u afruar pranë BE-së dhe do të humbasin rastin historik në qoftë se nuk i eliminojnë tensionet ndëretnike përgjatë kufirit.
Agjencia e lajmeve AFP, transmetoi deklaratën e dy ministrave për situatën në veri të Kosovës.
Serbia dhe Kosova duhet të gjejnë zgjidhje diplomatike që i njeh kufijtë e Kosovës, e përmirëson jetën e secilit dhe të dy shtetet i vë në rrugë të anëtarësimit në BE, thanë të dy ministrat, për të shtuar se nëse ata nuk e bëjnë këtë, do të humbin rastin historik.