27 Dhjetor 2024

Britania dhe Gjermania të shqetësuar për Kosovën

Berlin, 29 korrik - Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague dhe Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, janë shprehur të shqetësuar në lidhje me dhunën që ndodhi në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të brengosur seriozisht për dhunën e fundit të ndodhur në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës. Ne bashkërisht, dënojmë çdo lloj akti të dhunës. Ne theksojmë domosdoshmërinë për të respektuar integritetin territorial të Kosovës, për tu përmbajtur nga akte të tjera të dhunës dhe nga hapa të tjerë që mund të kenë ndikim negativ në stabilitet dhe siguri”, thanë dy ministrat në një deklaratë për shtyp.

“Në këtë aspekt, ne e përkrahim në mënyrë aktive dhe plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nën direktivat e zonjës Ashton në emër të Bashkimit Evropian. Dialogu ofron mundësi qenësore për të gjetur zgjidhje paqësore për çështjet e pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe për të vazhduar rrugën, si Serbia ashtu edhe Kosova, drejt një të ardhmeje të sigurt në BE”, thanë ndër të tjera ministrat.

“Ne e kemi thënë edhe më herët dhe po e ritheksojmë tani se mënyra se si fqinjët i zgjidhin problemet, është çelës kyç për një perspektivë evropiane. Serbia dhe Kosova duhet të përqendrohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE, në të gjashtë problemet që tashmë janë duke u diskutuar sikurse edhe në progresin në veriun e Kosovës. Progresi i dukshëm në të gjitha këto fusha do të luajë rol në diskutimet e BE-së në vjeshtë”, theksuan dy homologët, britanik dhe ai gjerman. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)