23 Dhjetor 2024

Botswana pritet formalisht ta njoh pavarësinë e Kosovës

New York, 22 shtator - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka vazhduar gjatë ditës serinë e takimeve me ministra të punëve të jashtme që po qëndrojnë në Nju Jork gjatë sesionit plenar të Asamblesë së Përgjithshme, me qëllimin final përshpejtimin dhe intensifikimin e procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës.

Në këtë kuadër, Ministri Hyseni ka zhvilluar një takim të veçantë me Ministrin e Punëve të Jashtme të Botswanës, Phandu Skelemani. Në këtë takim, Ministri Hyseni është përqendruar në veçanti te rrethanat që janë krijuar pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës dhe miratimit të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme përkitazi me këtë Mendim.

Po ashtu, Ministri ka folur edhe për rrethanat specifike që kanë çuar në krijimin e shtetit të Kosovës, duke nënvizuar midis tjerash faktin se, Republika e Serbisë nuk mund të pretendojë trashëgiminë e ish-Federatës Jugosllave, siç ajo sillet në relacion me Lëvizjen e të Painkuadruarve, pasi shkaktare e shpërbërjes së asaj Federate ka qenë pikërisht Serbia me përpjekjet për të vendosur nën dominimin e saj të gjitha njësitë përbërëse të federatës, një prej të cilave ka qenë edhe Kosova.   

Sa i përket Mendimit të Gjykatës Botërore, Ministri ka rikujtuar se Mendimi ishte kërkuar nga vetë Republika e Serbisë, dhe pavarësisht këtij fakti dhe faktit që ajo ka vonuar shumë procese, “ne kemi shprehur në vazhdimësi besimin tonë të plotë në paanshmërinë e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në vetë drejtësinë ndërkombëtare dhe në kauzën tonë të drejtë”.

Së fundi, edhe Asambleja e Përgjithshme, në rezolutën e saj A/64/L.65/Rev.1, ka mirëpritur Mendimin e Gjykatës Botërore, që paraqet edhe vlerësimin formal politik të Mendimit të organit kryesor gjyqësor të Kombeve të Bashkuara, i cili ka vendosur në të gjitha pikat në favor të pavarësisë së Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, Ministri është shprehur se, nuk sheh asnjë arsye për shtyrje të mëtejme të njohjes formale të shtetit më të ri.  

Nga ana e tij, Ministri i Botswanës, Phandu Skelemani, ka thënë se, ai vetë e ka lexuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke u shprehur se, “vendimi është i qartë”. Ministri Skelemani po ashtu e ka siguruar Ministrin Hyseni se, do t’i paraqesë shpejtë edhe formalisht qëndrimin për njohjen Qeverisë së tij.   

Një takim tjetër të veçantë dhe shumë përmbajtësor, Ministri Hyseni ka zhvilluar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Ministrat kanë folur për zhvillimet më të fundit për dhe rreth Kosovës, duke u ndalur në veçanti te procesi i njohjeve, pastaj marrëdhëniet mes dy vendeve, konkretizimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë hulumtimin e mundësive për investime nga komuniteti i biznesit të Emirateve në Kosovë.

Në takim, Ministri Hyseni i ka bërë thirrje homologut të tij që të vizitojë Kosovën, të cilën ftesë Ministri Abdullah bin Zayed Al Nahyan e ka pranuar me kënaqësi. Vizita e Ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe planifikohet të realizohet para përfundimit të këtij viti.

Të dy ministrat janë pajtuar që të fillohet menjëherë me përgatitjen për nënshkrim të marrëveshjeve për mbrojtje dhe promovim të investimeve dhe për heqje të tatimit të dyfishtë. Gjithashtu, në këtë takim, Ministri i ka bërë thirrje komunitetit të biznesit të Emirateve të Bashkuara Arabe që të hulumtojë mundësitë për investime në Kosovë, si dhe ka folur për kornizën e favorshme ligjore që është krijuar për investitorët e huaj.      

Gjatë ditës, Ministri Hyseni ka zhvilluar edhe një numër takimesh me homologë nga vende të ndryshme që po qëndrojnë në Nju Jork. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)