Bota mirëpret Vitin e Ri 2012
Botë, 1 janar - Viti i Ri 2012 u prit me fishekzjarre shumëngjyrëshe dhe urime në të gjithë globin.
Londra, që do të organizojë Olimpiket e sivjetshme verore, e hapi shfaqjen e fishekzjarreve me një xhirim të momentit kur kryeqyteti britanik mësoi se ishte zgjedhur si qytet organizator i Lojërave.
Qindra mijëra vetë ishin mbledhur përgjatë brigjeve të Lumit Tamiz për të ndjekur fishekzjarret.
Në Berlin, banorë e turistë ishin mbledhur për një shfaqje madhështore shumëngjyrëshe në Portën e Brandenburgut.
Nju Jorku, i cili organizon shfaqjen më të famshme të ndërrimit të viteve në Shtetet e Bashkuara, kishte ftuar emra të mëdhenj në ceremoninë festive, ndër të cilët Lady Gaga dhe Placido Domingo.
Sipas njoftimeve, 1 milion vetë ishin mbledhur në sheshin Times Square për të parë globin e kristaltë që shënon sekondat e fundit të vitit të vjetër deri në momentin e ndërrimit të viteve.