Bosnjë, ministrat serbë kundërshtojnë vizat për kosovarët
Ministrat e Bosnjës të dy partive kryesore të serbëve, Aleanca e Socilademokratëve të Pavarur, SNSD dhe Partia Demokratike Serbe, SDS, kanë kundërshtuar fuqishëm dhënien e vizave qytetarëve të Kosovës për ta vizituar Bosnjën, u ka thënë gazetarëve ministri i Sigurisë, Sadik Ahmetoviq, pas një mbledhje të qeverisë, ku është shqyrtuar kjo çështje.
Diskutimi ka nxjerr në pah kundërshtimin e qëndrimeve të ministrave në Qeverinë e re në lidhje me çështjen e Kosovës, ka thënë Ahemtoviq për Ballkan Insight, duke shtuar se Serbia duket më progresive sesa Bosnja, kur është në pyetje çështja e Kosovës.
Edhe pse Serbia ka hapur bisedimet për disa çështje elementare, siç janë qarkullimi i lirë i njerëzve, kalimi i vendkalimeve dhe disa çështje të tjera me rëndësi për jetën e përditshme, nganjëherë krijojmë probleme më të mëdha sesa ato që janë në Beograd, ka thënë ai.
I vetmi informacion që është dhënë për diskutimin në lidhje me Kosovën, të martën, është se Ministria e Jashtme është obliguar që të mendojë për zgjidhjet e mundshme për dilemat, për mbledhjen e ardhshme të qeverisë, por Ahmetoviq ka thënë se me gjasë nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë.
Problemi është se disa njerëz karrierën e tyre politike e ndërtojnë në çështjet siç është Kosova, ka thënë ai. E vetmja gjë që mund ta bëjmë është që tua mundësojmë qytetarëve të Kosovës, të cilët dëshirojnë, të vijnë në Bosnjë sipas Ligjit ton për qarkullimin dhe qëndrimin e të huajve dhe azilit, ka thënë Ahmetoviq.
Bosnjë e Hercegovina është e vetmja ish-republikë e Jugosllavia, bashkë me Serbinë, që nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur.(Elvira Jukiq, BIRN Sarajevë)