12 Maj 2024

Bosnja premton njohjen e dokumenteve të Kosovës

Prishtinë, 22 shtator - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi, ka zhvilluar një vizitë në Republikën e Bonjës dhe Hercegovinës.

Qëllimi i vizitës dy ditore ka qenë që me autoritetet politike, ekonomike dhe shoqërore boshnjake, të ngrihet çështja e njohjes së dokumenteve të Republikës së Kosovës nga Bosnja dhe Hercegovina.

Në përgatitjen e kësaj vizite ka ndihmuar Ambasada e Republikës Shqipërisë në Bosnje, në krye me Ambasadorin Flamur Gashi.

Të hënën, Zëvendësministri Ibrahim Gashi, ka zhvilluar takime me zyrtarët më të lartë përfshirë anëtarët e Presidencës së BeH-së, me prefektin e Sarajevës, Ibrahim Haxhibajriq, drejtorin gjeneral të “Energo Invest” në Sarajeve dhe një darkë pune me Presidentin e Federatës Boshnjako-Kroate.

Të nesërmen, Zëvendësministri Gashi ka zhvilluar një vizitë dhe ka mbajtur një ligjëratë në Institutin për Krime kundër Njerëzimit, ku është pritur nga drejtori i institutit Ismajl Cekiq dhe bashkëpunëtorët e tij. 

Ai ka pas takime edhe me zyrtarët të tjerë të lartë të BeH-së, Zëvendëskryeministrin, pastaj një vizitë në Odën Ekonomike të Bosnjës, ku u prit nga kryetari i saj, Jago Llasiq dhe nënkryetari Avdo Rapa.

“Në të gjitha këto takime tema kryesore e bisedës ka qenë njohja e dokumenteve të Republikës së Kosovës si parakusht për implementimin e masës së reciprocitetit. Natyrisht pasi i kam falënderuar për njohjen e vulave të Doganave të Kosovës nga shteti i Bosnjës, kam ngritur shqetësimin se shkëmbimet tregtare nuk mund të vazhdojnë pa njohjen e dokumenteve."

Pengesat e para sipas tij do të paraqiten pasi maunet me mallra nga Bosnja do të mund të hyjnë në Kosovë, por maunet me mallra nga Kosova që drejtohen nga shoferët që kanë dokumente të Kosovës, nuk do të mund të hyjnë në Bosnje.

"Unë kam  thënë se nuk jemi të gatshëm që pa njohjen e dokumenteve të vazhdojmë me zbatimin masës së reciprocitetit. Të njëjtin problem e kemi edhe me Serbinë, por kam marrë pëlqimin edhe të autoriteteve tona më të larta se nuk mund të vazhdohet më tutje me mosnjohjen e dokumenteve sepse është pengesë shumë serioze për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë Gashi, gjatë takimeve në Sarajevë.

Ai  po ashtu ka paraqitur disa raste eklatante të pengesave që shkaktohen nga mosnjohja e dokumenteve të Kosovës nga Bosnja. 

“Ne kemi një diasporë kosovare në Bosnjë dhe një diasporë të konsiderueshme në numër boshnjake në Kosovë. Unë kam përmendur rastin që një familje boshnjake nga Kosova, të cilës i ka vdekur një i afërm në Bosnje, nuk i është lejuar të udhëtoj që të marrë pjesë në varrim. Pastaj rasti i shkëmbimeve akademike, kur doktorantëve tanë që është dashur të mbrojnë temën e doktoraturës në Sarajevë, nuk i është lejuar udhëtimi andaj janë detyruar që të thërrasin komisionin në Kosovë”, bëri të ditur Gashi, pas kthimit në Prishtinë. 

Zëvendësministri po ashtu ka prezantuar edhe një varg argumentesh të tjera, siç janë fakti që Kosova nuk është njohur edhe nga disa shtete të tjera, por të cilat kanë gjetur modalitete për të njohur dokumentet e Kosovës, si Greqia, Qipro,Rumania, Egjipti, madje edhe Kina, duke e quajtur paradoks të llojit të vet që Bonja, një shtet me të cilin tradicionalisht kemi marrëdhënie intensive, nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë.

“Krejt në fund kam ngritur çështjen e hapjes së një zyre ekonomike të Kosovës në Sarajevë dhe një të ngjashme në Prishtinë. Oda Ekonomike e Bosnjës ka shprehur interesim shumë të madh për këtë dhe pres që shumë shpejt një delegacion i biznesmenëve boshnjakë, të udhëhequr nga Oda Ekomomike e Bosnjës, ta vizitoj Kosovën”, ka thënë Zëvendësministri Ibrahim Gashi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)