Bora paralizon transportin dhe lëvizjet në të gjithë kontinentin
Paris, 25 dhjetor - Bora dhe akulli kanë shkaktuar pengesa të mëdha në transport edhe në vendet fqinje të Gjermanisë. Për shkak të mungesës së mjeteve për shkrirjen e akullit, aeroporti i madh parizian Roissy-Charles de Gaulle, këtë të premte anuloi 400 nga gjithsej 1200 fluturimet e planifikuara.
Natën e kaluar, në aeroport mbetën të bllokuar 2000 pasagjerë. Në Holandë u mbyll aeroporti Eindhoven pas reshjeve të shumta të dëborës. Në jug të Belgjikës në shumë vende është në fuqi ndalimi i qarkullimit për kamionët, pas aksidenteve të një nate më parë në Ardene. Në kryeqytetin Bruksel nuk kanë lëvizur metrotë dhe autobusët.
Mijëra udhëtarë i kanë prishur planet e tyre për Krishtlindje, për sa i përket udhëtimeve në vendet e Europës Perëndimore. Probleme ka pasur edhe Aeroporti i Brukselit dhe belgët vetë, për shkak të kushteve atmosferike, u paralajmëruan që të mos udhëtonin në ngricë dhe dëborë, pasi është shumë e rrezikshme.
Në të gjithë Europën janë njoftuar qindra raste aksidentesh rrugore. Në Itali reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Venecia, si dhe në qytetin e Vinçencës, në perëndim në Venecias. Njerëzit janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, për shkak të rritjes së madhe dhe të befasishme të nivelit të ujit.
Aeroporti francez De Gol, ndër më të mëdhenjtë e vendit, ka pasur probleme nga rëndesa e dëborës edhe me çatinë e një pjese të terminalit të tij kryesor. Në vitin 2004 i njëjti terminal pati shembje të çatisë po për shkak të rëndesës së dëborës dhe si pasojë u vranë 4 persona. Si pasojë, dje u zhvendosën nga terminali 2000 veta.
Autoritetet franceze janë duke u përpjekur që të përballojnë situatën e vështirë me reshje të jashtëzakonshme. Ndërkohë janë raportuar edhe njerëz të humbur dhe disa të vdekur nga reshjet e jashtëzakonshme atmosferike.
Të shumtë kanë qenë edhe ata turistë që e kanë kaluar natën dje në stacionet e hekurudhave dhe të autobusëve, apo edhe nëpër lokale dhe vende të tjera përreth stacioneve në pamundësi për tu rikthyer në shtëpi për Krishtlindje.