Bogdanoviç: Statusi temë e bisedimeve Prishtinë-Beograd
Beograd, 10 janar - Ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka deklaruar se statusi do të jetë një nga temat kryesore të bisedimeve Beograd-Prishtinë.
Në një intervistë për gazetën Veçernje Novosti, Bogdanoviç ka theksuar se bisedimet duhet të nisin sa më shpejtë dhe statusi do të jetë temë e patejkalueshme.
Ai gjithashtu theksoi se Beogradi do të bisedojë me të gjithë përfaqësuesit legjitim të Kosovës, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin, por Serbia njëkohësisht dëshiron që sa më parë të hetohen pohimet nga raporti i Dick Martit për tregtinë me organe gjatë luftës.
Bogdanoviç ka thënë gjithashtu se raporti i Dick Martit mund të shtyjë formimin e qeverisë në Kosovë dhe të ndikojë në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Sipas tij është e domosdoshme që të hetohen të gjitha pohimet nga raporti i Dick Martit, dhe kjo jo vetëm për shkak të bisedimeve Prishtinë-Beograd, por edhe për shkak të marrëdhënieve të ardhshme serbo-shqiptare.