Bogdanoviç kërcënon me rikthim të barrikadave
Beograd, 7 shtator - Për serbët po vijnë ditë të vështira, kështu ka deklaruar i ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanoviç, tek sa ka ftuar të mërkurën serbët e veriut në unitet.
Sipas tij, Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj, andaj uniteti i popullatës serbe të Kosovës në këto momente është i nevojshëm si kurrë më parë.
Ai theksoi se disa nga përfaqësuesit e partive opozitare për arsye politike ditëve të fundit janë duke rrënuar këtë unitet të popullatës, dhe në momentet më të vështira po sulmojnë shtetin.
Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë sa më keq, aq më mirë dhe të cilët tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë, ka thënë Bogdanoviç.
Sipas Kosovapress-it ai ka porositur se serbët do të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë në mënyrë të qetë dhe të dinjitetshme, por nuk përjashtoi mundësinë e rikthimit të barrikadave në rast se Prishtina tenton, siç tha ai dhunshëm, dërgimin e doganierëve në pikat kufitare.