10 Janar 2025

Boehner rikofirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për ta mbështetur Kosovën

Washington, 20 qershor - Në ditën e dytë të vizitës në Washington, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është pritur në takime të veçanta në Kongresin Amerikan nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner dhe kongresistë të tjerë amerikanë.

Duke i dëshiruar mirëseardhje kryeparlamentarit Krasniqi dhe delegacionit parlamentar, Boehner rikofirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për ta mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen.

Ai kujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar trupat ushtarake në Kosovë, fillimisht për të garantuar sigurinë e tani po e mbështesin pavarësinë e saj. Zyrtari i lartë amerikan u interesua për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët dhe vendet e rajonit, si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi, duke e falënderuar z. Boehner për ftesën dhe mikpritjen, shtoi se qytetarët e Kosovës i përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend mik të tyre.
 
“Ne u jemi shumë mirënjohës që bashkë me ju arritëm pavarësinë dhe sot po e jetësojmë shtet-ndërtimin. Vetë pavarësia e Kosovës, si shtet demokratik dhe shumetnik, është projekti yni i përbashkët”, u shpreh kryetari Krasniqi.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kreu i Kuvendit të Kosovës falënderoi udhëheqësin e lartë amerikan për mbështetjen dhe angazhimin e SHBA-ve nëpërmjet Ambasadës në Prishtinë, për ndihmat amerikane në rindërtimin fizik dhe demokratik të Kosovës nëpërmjet USAID-it dhe, në mënyrë të veçantë, për sakrificën dhe kontributin e forcave ushtarake amerikane, që kanë dhënë për lirinë dhe ruajtjen e paqes në Kosovë.

Sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës, Krasniqi vlerësoi pranimin e dokumentit për studimin e fizibilitetit dhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa theksoi edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për t’i plotësuar kushtet politike, ekonomike dhe ligjore që i kërkon Bashkimi Evropian.    

Duke folur për dialogun me Serbinë, si pjesë e zhvillimit të bashkëpunimit në rajon, por edhe të integrimeve evropiane të të dyja vendeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se pala serbe vazhdon të mos i zbatojë mërrëveshjen e arritura në Bruksel.

Lidhur me hapat që po ndërmerr Kosova në procesin e përfundimin të mbikëqyrjes se pavarësisë, kryetari Krasniqi e njoftoi mikpritësin se gjatë kësaj jave Kuvendi i Kosoves do ta miratojë në parim projektligjin që përmban ndryshime të 22 ligjeve që dalin nga pakoja e Presidentit Ahtisari dhe kështu, gradualisht, institucionet e Kosovës do t’i marrin përgjegjësitë që u takojnë.

”Ne jemi gati për këtë dhe do të vazhdojmë rrugën drejt një Kosove të pavarur, sovrane, të bashkuar dhe të integruar në institucionet euro-atlantike”, theksoi Krasniqi.

Delegacioni parlamentar i Kosovës është pritur edhe nga kongresistët -  udhëheqës të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, David Drier dhe David Price, komision ky që bashkëpunon drejtpërdrejt me 16 shtete partnere, përfshirë edhe Kosovën, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të institucioneve ligjdhënëse, si dhe nga kongresistin Eliot Engel e kongresistë të tjerë.
 
Kongresistët amerikanë u shprehën të impresionuar me zhvillimet në Kuvend, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Krasniqi, duke parë kështu me optimizëm zhvillimin e mëtejmë të demokracisë parlamentare në Kosovë. Ata theksuan se miqësia e Amerikës me Kosovën do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.

Bashkëpunimin dhe komunikimin e Kuvendit të Kosovës me Komisionin e Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, kryeparlamentari Krasniqi e cilësoi si shumë të rëndësishëm dhe falënderoi kongresistët për mbështetjen.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)