Bob Dole vazhdon të qëndrojë afër popullit të Kosovës
Washington, 7 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në vazhdën e vizitës së tij në Washington, është takuar me ish-senatorin e njohur dhe mikun e madh të popullit dhe Republikës së Kosovës, ish-senatorin Bob Dole.
Kryeministri Thaçi gjatë takimit me Dole shfrytëzoi rastin të shpreh respektin e madh që gëzon senatori Dole nga populli i Kosovës, si dhe nga Qeveria e Republikës ë Kosovës.
Ish-senatori Dole ishte njëri ndër zyrtarët e parë të lartë amerikan, që filloi të angazhohet për çështjen e Kosovës, dhe ishtë njëri ndër promotorët më aktivë të çështjes dhe kauzës tonë kombëtare, posaçërisht në luftën për sensibilizimin e opinionit amerikan dhe administratës Amerikane, sidomos në fundin e viteve te tetëdhjeta dhe fillimin e viteve të nëntëdhjeta.
Gjatë takimit me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Senatori Dole, theksoi se vazhdon të qëndrojë afër popullit të Republikës së Kosovës dhe krenohet me arritjet që janë bërë në Kosovë.
Dole gjithashtu theksoi se Republika e Kosovës është me fat që ka një lidership të mençur, që po e drejton Kosovën drejt një të ardhme të sigurtë në familjen e shteteve demokratike.