23 Dhjetor 2024

Bllokimi i liberalizimit të vizave nga disa shtete është i paarsyeshëm

Bruksel, 28 qershor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Samitin e Dytë të Parlamentit Evropian me Kryetarët e Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin u diskutua për rolin themelor të parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së në epokën pas COVID-it dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar.   

Në fjalën e tij para europarlamentarëve dhe homologëve nga rajoni, kryekuvendari Konjufca foli për sfidat që i sollën botës virusi Covid-19 dhe dëmet që ai u shkaktoi shteteve në njerëz dhe në ekonomi.  

Duke e konsideruar mbylljen e shoqërive dhe pezullimin e aktiviteteve si një sprovë të pashembullt, kryekuvendari tha se po aq sa qe sfidë e madhe, në po të njëjtën masë ishte edhe etablim i një vlere të veçantë.  

“Më shumë se kurrë në historinë e botës njerëzimi e rizbuloi rëndësinë e solidaritetit. Për një moment të gjithë u ndjemë barbarësisht të cenueshëm ndaj këtij virusi të pamëshirshëm. COVID-i nuk zgjedh gjini, racë, përkatësi kombëtare e as religjioze, por as gjendje ekonomike. E kuptuam më mirë se çkado që ndodh me njërin do të ndodhë me të gjithë. E zbuluam, më shumë se që e dinim, se sa shumë e ndajmë botën të gjithë së bashku”, theksoi Konjufca.    

Kreu i Kuvendit në vazhdim foli për dëmet që pandemia i shkaktoi Kosovës dhe qytetarëve të saj.  

“Rasti i parë u identifikua më 12 mars të vitit të kaluar. Prej atëherë ndodhën mbi 107 mijë raste të infektimit. Piku i infeksioneve i afrohej 1000 rasteve për 24 orë. Mbi 2200 qytetarë të shtetit tonë fatkeqësisht nuk ia dolën në luftë me virusin. Dy herë u aplikua mbyllja e plotë, përveç veprimtarive shoqërore e ekonomike bazike e ekzistenciale."

"Për shkak të efektivitetit të masave, fillimit të vaksinimit masiv, por edhe përmirësimit të motit, këta tre faktorë kanë ndikuar që numri i infeksioneve të bie ndjeshëm. Qeveria ka paraqitur një plan ambicioz të vaksinimit masiv të popullatës që do t’i përfshinte 60% të atyre që kanë nevojë për vaksinim deri në fund të këtij viti”, tha kryekuvendari Konjufca.  

Ai shtoi se pavarësisht vështirësive të mëdha që i solli pandemia, kurrë nuk duhet të lihet në harresë projekti më i rëndësishëm - kompletimi i BE-së.  

Konjufca tha se paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor janë të lidhura në mënyrë qenësore me qasjen e BE-së ndaj këtij rajoni të ndërlikuar e sensitiv.  

“Në të njëjtën masë që për ne është domosdoshmëri bashkimi në familjen evropiane, po sipas të njëjtës nevojë BE-ja e ka të domosdoshme përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Mësimet e duhura i kemi të gatshme në histori”, theksoi kryekuvendari Konjufca.  

Ai tha se në fillim të viteve ’90-të në Evropë ka pasur edhe forca politike shkurtpamëse të cilat krizën e shpërbërjes së Jugosllavisë e shihnin si një zjarr të jashtëm ndaj të cilit kërkohej mbajtja e një distance të sigurt.  

“Pse t’i djegim duart pa nevojë në një mori luftërash që nuk janë tonat – thoshte motoja e tyre. Por pikërisht kjo qasje rrezikoi që zjarri të përhapej përtej Ballkanit. Ishte pikërisht ndërhyrja ndërkombëtare politiko-ushtarake në Ballkan më 1995 e 1999 ajo që i dha shans paqes dhe e stabilizoi rajonin tonë”, tha Konjufca.  

Qe 22 vite, shtoi ai, nuk ka më luftëra, ndërsa ato pak çështje të hapura që kanë mbetur po zgjidhen me bisedime. Por, siç tha Konjufca, optimizmi dhe entuziazmi i popujve të Ballkanit Perëndior për BE-në nuk është një adhurim i pakondicionuar.

Sipas tij, në kushtet e sotme vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ndjehen të lëna anash e të dezorientuara vetëm nëse shtetet kryesore të BE-së e aplikojnë doktrinën e cila quhet “njëherë thellim, pastaj zgjerim”.  

“Nëse krijohet një koncensus evropian ndaj kësaj strategjie, dëmi që do t’i bëhet Ballkanit Perëndimor do të jetë kolosal.''

''Shpresoj shumë që projektet të cilat po shfaqen këto dy vitet e fundit nën formën e platformave të ‘bashkëpunimit rajonal’ si puna e MiniSchengenit, nuk e kanë funksionin e biberonit që e zëvendëson integrimin e BP në BE me një moratorium deri sa BE-ja ta kryejë thellimin e vet”, theksoi kreu i legjislativit të Kosovës.  

Në vazhdim të fjalës së tij, Konjufca tha se edhe mesazhet negative si ky që e mori Kosova qysh nga viti 2017 për liberalizimin e vizave, janë kontribut që e zvogëlon frymën e vlerave evropiane në vendin tonë.  

“Bllokimi i këtij procesi nga disa shtete anëtare është i paarsyeshëm. E në anën tjetër, as vonesat e BE-së apo mungesat e koncensusit evropian nuk duhet të na shërbejnë si justifikim për moskryerjen e detyrave shtëpiake.''

''Reformat në drejtësi, ekonomi, administratë e arsim janë të pazëvendësueshme. Forcimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit, lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe fuqizimi i transparencës, si dhe mbrojtja e pakompromis e të drejtave të njeriut dhe pakicave janë 'sine qua non' i shoqërive të lira e të hapura”, tha në fund të fjalës së tij kryekuvendari Glauk Konjufca.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)