Biserko: Serbia dëshiron veriun e Kosovës
Beograd, 30 gusht - Lëvizja e fundit e Beogradit që, fillimisht, të mos e pranojë mendimin e GJND-së, i cili përjashtoi çdo mundësi të ndryshimit të statusit të Kosovës, apo negociatave për të, është reflektim i mosgatishmërisë së Serbisë për ta pranuar këtë realitet të ri- shprehet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Këshillit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko.
Ajo thotë se Serbia po përpiqet që të shfrytëzojë mospajtimet brenda Bashkësisë Ndërkombëtare lidhur me këtë temë, e cila në të vërtetë nuk ka të bëjë aq shumë me Serbinë sa me çështje të tjera të pazgjidhura në botë, dhe sipas saj, Serbia nuk do t'ia dalë me këtë rezolutë, edhe pse për momentin është e bindur në fitore.
Megjithatë, thotë ajo, Serbia beson në rifillimin e negociatave me një qëllim të vetëm, e që është ndarja e Kosovës, e që prapa fiksimit serb për Kosovën fshihet synimi për Bosnjën, sepse, siç thotë ajo, paralelisht me dinamikën karshi Kosovës, Milorad Dodik vazhdimisht po thekson se Bosnja nuk është shtet i qëndrueshëm, dhe nëse Bosnja do të hiqte dorë nga Republika Serbe, atëherë ajo do të bëhej pjesë e Serbisë.