Bisedimet shënojnë përparime në zbatimin e marrëveshjes së IBM-it
Bruksel, 7 shtator - Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka zhvilluar në Bruksel takimet e radhës për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ku është diskutuar mbi avancimin e zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe asaj për çështjet doganore.
Në përfundim të këtij raundi bisedimesh në Bruksel, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se në këto takime janë dhënë vlerësime pozitive nga të gjitha palët lidhur me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it si dhe janë trajtuar sfida të ndryshme të këtij procesi për tejkalimin e cilave ka pasur pajtim të plotë.
Ajo ka theksuar se procesi i zbatimit të marrëveshjes ka hyrë në një fazë të re ku jemi duke bërë përgatitje intensive për ndërtimin e ndërtesave të përhershme të IBM-it në gjashtë pikëkalimet kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë me financimin e BE-së ashtu siç e parasheh marrëveshja dhe protokolli teknik.
Në këtë drejtim janë duke u punuar planet ideore nga ana e BE-së, dhe gjatë takimeve janë prezantuar projekt propozimet e hartuara nga kompania e kontraktuar nga BE-ja mbi dizajnin e pikëkalimeve të përhershme kufitare të IBM-ve.\"
\"Ne si palë e Kosovës kemi bërë vlerësimin e dizajnimeve si dhe kemi pranuar në parim këto projekte, ndërkohë që kemi paraqitur disa sugjerime plotësuese në drejtim të funksionalitetit më të mirë të pikëkalimeve kufitare, që parashihen të jenë në harmoni me standardet e BE-së për menaxhimin e integruar të kufirit mes dy shteteve, tha zonja Tahiri.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri theksoi se është biseduar dhe është arritur pajtimi edhe rreth bashkëpunimit dhe respektimit të standardeve evropiane në çështjet fitosanitare ku ndër tjerash përfshihet edhe çështja e pranimit reciprok të dokumenteve zyrtare që lëshojnë agjencitë përkatëse të veterinës dhe ushqimit.
Në këtë kuadër u arrit pajtimi që formularët e agjencive të veterinës dhe ushqimit duhet të jenë sipas standardeve evropiane ashtu sikurse që përdoren nga shtetet evropiane. Këto përparime në bisedime do të mundësojnë një kontroll adekuat të produkteve nga ana agjencive të veterinës dhe ushqimit gjatë eksport - importeve të mallrave nga të dyja shtetet.
Poashtu në këtë takim është biseduar për përmirësimin e komunikimit dhe këmbimit të informatave sipas rregullave të IBM-it në mes të autoriteteve shtetërore të të dyja vendeve përgjegjëse për kontrollin kufitar siç janë policia, doganat, agjencia e veterinës dhe ushqimit, me theks të veçantë është diskutuar për zbatimin e projektit SEED, që nënkupton komponentën e komunikimit digjital në mes të Doganave të të dyja shteteve i cili pritet të filloj kah fundi i këtij muaji i cili është një standard evropian dhe përdoret nga të gjitha shtetet e Evropës Juglindore.
Takimet në Bruksel janë shfrytëzuar edhe për trajtimin dhe zgjidhjen e disa problemeve që ishin shfaqur në fushën e tregtisë së lirë ku në disa raste të caktuara disa kompani eksportuese u ballafaquan me pengesa doganore si dhe disa dukuri të ngjashme, me ç rast ishte zotim i të dyja palëve që të respektohet plotësisht marrëveshja për tregtinë e lirë.