Bisedimet Kosovë - Serbi në fund të muajit
Bruksel, 15 qershor - Shtyrjen e raundit të pestë të dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit, që ishte përcaktuar për sot dhe nesër, zyrtarët e BE-së në Bruksel nuk e shohin si frenim të procesit, duke paralajmëruar vazhdimin e negociatave në fund të qershorit.
Zyrtarë të BE-së thonë se nuk ka pasur ngecje, por ideja ka qenë që të dyja palëve t`u jepet më shumë kohë që përfundimisht të pajtohen, të paktën për disa nga çështjet e hapura.
Vazhdimi i dialogut është shtyrë që të përfundojnë përgatitjet e brendshme, që janë të domosdoshme për marrëveshje konkrete, ka thënë zëdhënësja, Maja Kocijancic.
Ndërkohë udhëheqësi i ekipit serb, Borisllav Stefanoviç, shpreh optimizëm për arritjen e marrëveshjeve konkrete në çështjen e lëvizjes së lirë, kadastrës, librave të amzës dhe telekomit.