Bisedimet Kosovë Serbi nisin në dhjetor
Beograd, 16 tetor - Serbia nuk do të heq dorë nga vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe nga procesi i mëtejmë i integrimeve evropiane, pavarësisht mesazheve të qarta nga Brukseli se formulimi kontestues për respektimin integritetit tokësor të Kosovës mbetet në Strategjinë e shtrirjes, shkruan gazeta Veçernje Novosti duke i\'\'u referuar burimeve në Qeveri.
Sipas gazetës, edhe pse kanë ndodhur zhurmimet në lidhjet midis dy partnerëve të koalicionit në Qeveri përparimtarëve të Vuçiqit dhe socialistëve të Daçiqit rreth raportit të mëtejmë të shtetit ndaj BE, po i afrohet fundit hartimi i Platformës për Kosovën dhe po formohet ekipi i ardhshëm negociues të cilin, sipas të gjitha gjasave do ta drejtojë kryeministri Ivica Daçiq.
Por, siç merr vesh RTK, në negociata do të marrë pjesë aktive edhe nënkryeministri i parë, Aleksandar Vuçiq dhe disa ministra tjerë. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që ekipin serb ta udhëheqë presidenti Nikoliq, i cili thotë se nëse këtë do ta kërkojë Qeveria nga ai do ta pranojë pa telashe.
Paralel me këtë, thonë qeveritarët serb, shteti do ta vazhdojë betejën që integriteti i Kosovës të hiqet nga Strategjia e BE ose të paktën të mos paraqitet në dokumentet e ardhshme të Brukselit mbi Serbinë.
Prandaj, zyrtarët serb e kanë nisur fushatën e madhe të lobimit që të hiqet ky formulim, dhe kushti për normalizimin e raporteve me Prishtinën të definohet sa më butë. Sikurse merr vesh gazeta Veçernje Novosti, Beogradi dhe Prishtina do të mund ta ripërtëritin dialogun brenda një muaji. Respektivisht ideja është që bisedimet të nisin më së voni në fillim të dhjetorit para takimit të shefave të shteteve dhe qeverive të BE në Këshillin e Evropës, më 13 dhjetor.
Javët e ardhshme, si paralajmëron edhe presidenti Nikoliq, do të definohet Platforma për Kosovën, e cila, sipas fjalëve të shefit të zyrës së Qeverisë për Integrime Evropiane, Millan Pajeviq, do ti marrë parasysh edhe dokumentet e sapo publikuara të Brukselit dhe kërkesat që shtrohen para Serbisë.
Të hënën janë zbutur edhe mosmarrëveshjet që u shkaktuan në relacionin Partia Përparimtare dhe ajo Socialiste pas deklaratës së Ivica Daçiqit se Serbinë nuk po e lëshojnë në BE pikërisht ata që kanë bërë krime mbi serbët, duke aluduar në Gjermaninë si humbëse e dy luftërave botërore.
Nënkryeministri Vuçiq (vlerësohet si shumë i afërt me Qeverinë gjermane) ka rekomanduar se ka biseduar me Daçiq, se i kanë sqaruar të gjitha mospajtimet dhe se kryeministri i ka thënë se qëllimi i tij rreth fjalëve që i janë transmetuar apo folur kanë qenë tjera.
Kurse vet Daçiq gjithë transkriptin e fjalimit të tij të së dielës nga komemoracioni ku është shënuar një masakër e kryer nga forcat hitleriane në Luftën e Dytë Botërore, ia ka dorëzuar mbrëmë personalisht ambasadorit gjerman.
Vuçiq ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që ti nis negociatat për anëtarësimin në BE sa më shpejtë dhe nuk mendoj se ndokush planifikon që vendin ta shpie në ndonjë drejtim të kundërt nga Evropa