Bieber: Ndërkombëtarët pa strategji për veriun
Prishtinë, 14 prill - Eksperti i njohur i çështjeve politike të Evropës Juglindore, Florian Bieber deklaroi në një intervistë për Radio Kosovën se faktorët ndërkombëtarë nuk kanë strategji të qarta për veriun e Kosovës.
Në momente të krizave, gjëja më e mirë që bëjnë KFOR-i dhe EULEX-i, është parandalimi i eskalimit, por ata nuk kanë qëllime strategjike, tha Bieber duke nënvizuar se Prishtina dhe Beogradi mund të flasin për veriun pas finalizimit të procesit elektoral në Serbi.
\"Gjithçka që ka ndodhur në veri të Kosovës, në më shumë se 12 vjet, ka qenë në funksion të politikave më të gjera, qoftë të Serbisë, të Kosovës, apo të dyjave. Asgjë e madhe nuk ndodh në veri të Kosovës pa pasur sfond politik, që lidhet me Beogradin, apo Prishtinën. Kësaj radhe duket se gjërat janë të lidhura me fushatën parazgjedhore në Serbi. Kandidatë të caktuar provojnë, madje, edhe të shkojnë në pjesën veriore të Kosovës, ashtu siç ka bërë Nikoliq këto ditë. \"
\"Pra, ekziston një atmosferë e tensionuar, para së gjithash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për faktin se, nëse duhet të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, e pastaj brenda vetë Serbisë, rreth çështjes se deri në çfarë mase i duhet dhënë rëndësi Kosovës në fushatën elektorale. Normalisht, ka tensione edhe ndërmjet disa institucioneve paralele në veri të Kosovës dhe vetë qeverisë në Beograd, e cila nuk mbështet krahët ekstremë\" u shpreh Bieber.