Biden: Putini do të përballet me pasoja për ndërhyrjen në zgjedhje
Washington, 17 mars - Presidenti Joe Biden tha se Presidenti Vladimir Putin do të përballet me pasoja për drejtimin e përpjekjeve për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 në favor të Donald Trump-it, dhe se këto pasoja do të vijnë së shpejti.
“Ai do të paguajë një çmim”, tha zoti Biden gjatë një interviste në kanalin televiziv ABC që u transmetua të mërkurën. I pyetur se për çfarë pasojash flitej, Presidenti Biden tha, “Do t’i shihni së shpejti.”
Komentet e tij vijnë pasi një raport i zbulimit amerikan përforconte akuzat e mëparshme se Putini fshihej pas ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet amerikane, akuzë të cilën Rusia e quajti të pabazë.
Në të njëjtën kohë zoti Biden theksoi se “ka hapësira ku është në interesin tonë të përbashkët që të bashkëpunohet” siç është rinovimi i marrëveshjes bërtahmore START, duke shtuar se dy udhëheqësit kanë një histori të gjatë njohjeje.
“E njoh relativisht mirë”, tha zoti Biden, duke shtuar se “gjëja më e rëndësishme në bashkëpunimin me udhëheqësit e huaj, në bazë të eksperiencës time, është njohja e udhëheqësit.”
Lidhur me Putinin, Zoti Biden tha se nuk mendon se udhëheqësi rus ka shpirt. I pyetur nëse mendonte se Putini ishte një vrasës, ai i tha kanalit ABC: “Po.”