Biden paralajmëron se njerëzit mund të vdesin pasi administrata e tij po pengohet nga Trump
Washington, 17 nëntor - Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka paralajmëruar se "njerëzit mund të vdesin" nëse administrata e tij e ardhshme vazhdon të pengohet nga Donald Trump.
Biden tha se ishte i nevojshëm bashkërendimi për të përballuar shpërthimin e koronavirusit. Ai e quajti refuzimin e Presidentit Trump për të pranuar se ai humbi zgjedhjet, pavarësisht thirrjeve për ta bërë këtë nga të dy palët, "krejtësisht të papërgjegjshëm".
Ekipi i Trump nisi një sërë sfidash dhe kontestimesh ligjore pas votimit të 3 nëntorit për numërimin e votave.
Ekipi i presidentit po përpiqet që gjykatat të përmbysin votat në shtetet kryesore me arsyetimin se shumë fletëvotime ishin të pavlefshme ose të numëruara në mënyrë jo të duhur. Deri më tani këto përpjekje kanë dështuar dhe nuk ka prova të mashtrimit të konsiderueshëm.
Presidenti i zgjedhur Biden, një Demokrat, ka 306 vota në kolegjin zgjedhor, duke kapërcyer pragun prej 270 të nevojshëm për të fituar. Megjithatë, Trump, një Republikan, shkroi në Tëitter të hënën: "Unë fitova Zgjedhjet!".