Biden paralajmëron Putinin për sanksione të forta nëse sulmon Ukrainën
Washington, 8 dhjetor - Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan zbardhi për median qëndrimin e Presidentit Biden gjatë bisedimeve virtuale që zgjatën për rreth dy orë me Presidentin rus Vladimir Putin.
Ai tha se Biden ishte i hapur dhe i drejpërdrejtë me Putin, dhe i tha atij se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin çdo veprim për t’u siguruar që Rusia të mos sulmojë Ukrainën.
Por Sullivan tha gjithashtu se Uashingtoni beson se Presidenti Putin, nuk e ka marrë ende një vendim lidhur me sulmin.
Megjithatë Shtetet e Bashkuara po përgatitet për të gjithë skenarët dhe do të japin një përgjigje specifike e të fuqishme, nëse do të kërkohet.
Gjatë takimit Presidenti Biden e mirëpriti mundësinë për t'u angazhuar direkt me Presidentin rus Putin dhe tha se asgjë nuk mund ta zëvendësojë dialogun e drejpërdrejtë.
Kremlini njoftoi të martën se Presidenti rus Vladimir Putin i paraqiti Presidentit të Joe Biden një kërkesë për garanci ligjërore e të detyrueshme që NATO të mos zgjerohet, duke nënkuptuar anëtarësimin në aleancë të Ukrainës.
Kremlini tha gjithashtu se gjatë dy orë bisedimesh me Presidentin Biden zoti Putin tha se NATO po forcon potencialin e saj ushtarak pranë kufijve të Rusisë dhe "po bën përpjekje të rrezikshme për të siguruar kontrollin mbi territorin e Ukrainës".
Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Jake Sullivan tha se pas bisedës me zotin Putin, Presidenti Biden bisedoi me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe e pritet që ditën e enjte të zhvillojë një bisedë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky.