Biden: Marrëveshja i hap rrugën Kosovës për BE dhe në NATO
Washington, 10 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u prit në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Kryeministri Thaçi fillimisht e falënderoi zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës, për ndihmën e vazhdueshme që administrata e Presidentit Obama, dhe Biden personalisht po i japin Kosovës në këto momente vendimtare të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës.
Duke folur për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë më 19 prill 2013 në Bruksel, kryeministri Thaçi tha se kjo marrëveshje nuk është fundi i normalizimit, por fillimi i tij, dhe tani fjalë kyçe është implementimi i plotë i marrëveshjes së arritur.
Kryeministri i Thaçi falënderoi zëvendëspresidentin Biden për ndihmën e pakusht që SHBA-të i kanë dhënë këtij procesi. Pa përkrahjen e SHBA-ve kjo marrëveshje nuk do të ishte e mundur. Garancitë dhe qëndrimet e SHBA-së kanë qenë vendimtare, tha kryeministri Thaçi.
Lidhur me gatishmërinë e Prishtinës për implementimin e marrëveshjes, kryeministri Thaçi theksoi se ndryshimet legjislative janë në fazën finale, dhe sapo të kthehem nga kjo vizitë, ato do të miratohen në Kuvendin e Kosovës, dhe asnjë vonesë nuk do të shkaktohet nga pala kosovare.
Madje, theksoi kryeministri Thaçi, në këtë drejtim, ne po punojmë shumë që të përcjellim mesazhe te qytetarët e veriut, ku si pjesë e Marrëveshjes, do të themelohet një fond zhvillimor për veriun, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve në atë pjesë, të cilët që 14 vite kanë jetuar në frikë për të ardhmen e tyre.
Duke folur për perspektiven evropiane të Kosovës, kryeministri Thaçi i tha Biden se Kosova të ardhmen e saj në BE nuk e kërkon duke u thirrur në parime morale, por edhe duke i përmbushur kriteret e caktuara.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE, duke pasur ndjenjën e izolimit. Por, sido që të jetë, rruga e Kosovës drejt BE-së nuk ka alternativë, dhe ne do të prodhojmë vazhdimisht argumente për ju z. Zëvendëspresident, në mënyrë që edhe ju ta keni më të lehtë mbështetjen për ne, tha kryeministri Thaçi.
Në takim me zëvendëspresidentin Biden, kryeministri Thaçi ngriti edhe çështjen e së ardhmes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke konfirmuar vizionin e Kosovës për anëtarësim në NATO, sepse FSK-ja është ndërtuar nën mbikëqyrjen edhe me standardet e NATO-s.
Kryeministri Thaçi me këtë rast falënderoi edhe Gardën Kombëtare të Iowa-s për partneritetin dhe ndihmën që po i jep FSK-së.
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden theksoi se marrëveshja historike e arritur në Bruksel i hap rrugën e sigurt të Kosovës në BE dhe në NATO.
Maturia dhe liderishipi juaj për të tejkaluar ndasitë etnike dhe armiqësitë nga e kaluara e hidhur vlerësohen lart nga SHBA, prandaj, për Kosovën dhe Ju në këtë proces, asnjëherë nuk do të mungojë mbështetja e SHBA-ve, tha mes tjerash zëvendëspresidenti i SHBA-ve Joe Biden.
Në takim me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden, ishin të pranishëm ministri Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimeve evropiane, znj. Vlora Çitaku.