Berlusconi nis punën në shërbim të komunitetit
Milano, 9 maj - Berlusconi nis punën në shërbim të komunitetit Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi do të nisë sot punën e tij në shërbim të komunitetit në një shtëpi të moshuarish pranë Milanos.
Ai u dënua me 4 vite burg për evazion fiskal vitin e kaluar, por që u zëvendësua me 4 orë punë në javë përgjatë një viti me të moshuarit me sklerozë.
77-vjeçarit iu kursye burgu për shkak të sistemit të butë ligjor italian për personat mbi 70 vjeç.
Mediat italiane thonë se Silvio Berlusconi ka studiuar sëmundjen e Alzheimer-it për tu përgatitur për punën e tij në shërbim të komunitetit. Massimo Restelli, shefi i azilit, tha për La Repubblica se Berlusconi do të integrohet ngadalë në mënyrë që të moshuarit të mësohen me të.
Në fillim do e nisë me gjëra të vogla e më pas mund të bëjë gjithçka. Mund të ndihmojë me ushqimin pasi pacientët duhet ti kujtosh që po hanë, tha Restelli, i cili shtoi se Berlusconi do të jetë i shoqëruar nga një mjek i specializuar për Alzheimer-in gjatë gjithë kohës.
Ish-kryeministri Berlusconi mund të zgjidhte shërbimin për komunitetin ose arrestin shtëpiak si dënim për blerjen e disa të drejtave televizive nga firma e tij Mediaset në vitet 90.