Berisha: Pohimet e "Politikës, shpifje raciste
Tiranë, 27 dhjetor - Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur poshtë shkrimet e Politikës së Beogradit për pjesëmarrjen në tregtinë me armë, gjatë luftës në Kosovë 1998/1999.
Pretendimet e 'Politikës', që është zëdhënëse e ultranacionalizmit serb dhe avokate e gjencoidit serb në Bosnje dhe Kosovë, nuk janë asgjë tjetër, pos shpifje raciste, ka thënë Berisha për agjencinë e lajmeve AFP.
Gazeta "Politika" e Beogradit ka shkruar sot se Berisha ka qenë një nga tregtarët kryesorë me armë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ka qenë qendër për blerjen e armatimit.
Siç pohon kjo gazetë, emri i Berishës përmendet nga katër dëshmitarë në dokumentet e Prokorurisë serbe për Krime të Luftës.
Berisha, raportet e "Politikës" i ka lidhur me histerinë anti-shqiptare të udhëhequr nga Dik Marti, të cilin e ka quajtur "një racist, që pa asnjë provë, është duke u përpjekur të hedhë baltë në luftën e shqiptarëve të Kosovës.
Forma, në të cilën janë bërë akuzat, vetëm mund të më nderojë, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, për të shtuar se shpifjet që 'Politika' e Beogradit dhe Dik Marti janë duke propaganduar sërish
dëshmojnë racizmin, verbërinë e tyre dhe zhgënjimin e madh të tyre me çlirimin e një populli.
Në intervistën për AFP-në, kryeministri Berisha ka vënë në pah se Shqipëria do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi që ndërlidhet me lufëtn në Kosovë dhe rastet tjera nga ana e EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës.